PD: Qeveria të reagojë për projektin në Lumin Radika

Pas protestave të qytetarëve edhe politika shqiptare ka reaguar për devijimin e lumit Radika.Partia Demokratike ka kërkuar nga qeveria të reagojë në lidhje me shetësimin mbarëkombëtar për devijimin e lumit Radika.Deputeti demokrat i qarkut të Dibrës, Roland Keta, theksoi se është dënueshme heshtja e qeverisë shqiptare për këtë shqetësim që është bërë tashmë shqetësim kombëtar."Partia Demokratike i kërkon qeverisë shqiptare të bëjë transparencë në lidhje me një projekt të qeverisë maqedonase që parashikon devijimin e Lumit Radika. Nëse ndodh, ky devijim sjell dëme të pallogaritshme për territorin dhe jetën e më shumë se 20 mijë banorëve të Dibrës së Madhe, të cilët janë në mazhorancë shqiptarë. Por gjithashtu, sjell dëme të mëdha jo vetëm ekologjike por dhe ekonomike, edhe në rrethin e Bulqizës dhe Dibër.Është e dënueshme heshtja e qeverisë shqiptare për këtë shqetësim që është bërë tashmë shqetësim kombëtar. Ne i kërkojmë Ministrit të Jashtëm dhe Kryeministrit të dëgjojnë zërin e banorëve të Dibrës, të Bulqizës, por dhe zërin e shqiptarëve që banojnë në Dibrën e Madhe, të dëgjojnë zërin e intelektualëve dhe shoqërisë civile në vend,  dhe të reagojnë menjëherë e të bëjnë publike, se çfarë po ndodh, cfarë është ky projekt i palës maqedonase, dhe cila është zgjidhja që nuk sjell dëme për qytetarët tanë. Këto janë problemet reale të shqiptarëve, dhe nuk mund të trajtohen me politikën e zero problemeve me fqinjët.Shurdhëria e qeverisë tonë para këtij shqetësimi në rritje të banorëve që preken drejtpërdrejt, por dhe gjithë qytetarëve dhe opinionit publik, e nxjerr qeverinë shqiptare në rastin më të mirë të paaftë për të kuptuar rëndësinë dhe përmasat e asaj që po projektohet nga pala maqedonase.Po bëhen 3 muaj që diskutohet kudo për devijimin e Lumit Radika, por vetëm qeveria e Edi Ramës nuk shprehet për këtë shqetësim mbarëkombëtar.Partia Demokratike i kërkon qeverisë të reagojë, sot, menjëherë, përpara se një çështje e tillë të përfshijë më shumë zemëratë popullore, çka nuk do të ndikonte në zgjidhjen e çështjes".Ndërkohë që qeveria me anë të Ministrit të Industrisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka sqaruar se ende nuk ka asnjë projekt konkret nga qeveria maqedonase. Gjiknuri u shpreh se këto çështje rregullohen me marrëveshje ndërkombëtare dhe premtoi se qeveria do mbrojë interesat e vendit.“E kam bërë edhe më parë publik qëndrimin. Nuk ka një projekt konkret që të na jetë dorëzuar si qeveri apo si Ministri e Energjitikës. Për një gjë dua ta siguroj publikun shqiptar; është një projekt-ide e hedhur prej shumë kohësh nga qeveria maqedonase. Në takimin që kam pasur me Ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë Z.Valon Saraçini në 27 nëntor, e kam thënë të qartë dhe po e përsëris të vetmen rrugë sipas të cilës kjo çështje mund të diskutohet. Nëse projekti ka impakt në ujërat e Shqipërisë, zgjidhja e tyre parashikohet në marrëveshjet ndërkombëtare, dhe ndërkufitare përsa i përket regjimit të ujërave. Kjo është përgjigja! Ne presim që të shikojmë projektin nga ana teknike dhe patjetër, nëse ka impakt mbi pasuritë e këtij vendi, padiskutim që qeveria shqiptare do të mbajë qëndrimin në përputhje me marrëveshjet dhe me interesat e këtij vendi e asnjë nuk duhet ta paragjykojë apo të luajë politikisht me këtë gjë” tha Gjiknuri.Në lidhje me projektin për devijimin e lumit Radika ka reaguar edhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet.“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje qeverisë shqiptare që të dëgjojë zërin e banorëve të Dibrës së Madhe dhe Dibrës së Vogël, të mbarë trevës historike shqiptare, që kërkon të ndalohet loja mbi devijimin e Lumit Radika. Devijimi i këtij lumi do të sillte dëme të mëdha në ekosistem, do të dëmtonte rëndë ekonominë e shqiptarëve të krahinës historike të Dibrës dhe do të dobësonte edhe burimet energjetike të Shqipërisë. Në asnjë këndvështrim, një akt i tillë nuk është në dobi as të Shqipërisë, e as të shqiptarëve në trojet tona kombëtare” theksohet në deklaratën për media të PDIU-së.Njëkohësisht PDIU i bën thirrje palës shqiptare që të jetë e kujdesshme me propozime të njëjta që vijnë nga Greqia në lidhje me devijim të burimeve të Vjosës, çka do të sillte një katastrofë të papërshkrueshme në vendin tonë.“PDIU i bën thirrje palës shqiptare që të jetë e kujdesshme me propozime të njëjta që vijnë nga Greqia në lidhje me devijim të burimeve të Vjosës çka do të sillte një katastrofë të papërshkrueshme në vendin tonë. Shqipëria ka të drejtën absolute, të padiskutueshme dhe të patjetërsueshme, sipas konventave ndërkombëtare që t’i thotë jo një akti të tillë. Këtë të drejtë, vendi ynë duhet ta përdorë. Le t’i lëmë lumenjtë aty ku i ka vënë Zoti, në dobi të kombit dhe shtetit tonë e të mos ua falim ndërhyrjeve të huaja në dëm të Atdheut dhe shqiptarëve!”