Devijimi i Radikës,Vasili: Interpelancë urgjente me ministrin Bushati
Grupi parlamentar i LSI-së kërkon interpelancë urgjente me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati për çështjen e devijimit të lumit Radika.Në një konferencë për shtyp, kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili u shpreh se transparenca dhe interesat e vendit duhet të prevalojnë mbi çdo gjë."Kjo interpelancë në një moment kaq të rëndësishëm vjen në vijim të shqetësimeve të thella të bëra publike edhe ne në median shqiptare të deputetit Spahiu, të shqetësimeve të bëra publike në Kuvendin e Shqipërisë në Komisionin parlamentar të Punëve të Jashtme dhe në shqetësimet e bëra prezente edhe në mjaft takime me qytetarët e Dibrës. Mospasja e asnjë sinjali të ndryshimit të qëndrimit nga autoritetet maqedonase lidhur me këtë çështje si edhe nga mungesa e shpjegimeve dhe informacioneve nga qeveria shqiptare lidhur me ndjekjen që ajo i ka bërë problemit apo me planin që ajo ka për ta ndjekur çështjen deri në fund, grupi i deputetëve të LSI-së kërkojnë këtë interpelancë urgjente në mënyrë që të njihen më mënyrën se si kjo çështje kaq e rëndësishme dhe me ndjeshmëri të madhe publike është menduar të ecet më përpara, në mënyrë që transparenca dhe vënia e interesave të vendit mbi çdo gjë të prevalojë dhe të jetë e dukshme për secilin nga ne si deputet të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe për qytetarët shqiptarë” tha Vasili.Sipas tij, interpelanca ka qëllim shumë të rëndësishëm dhe pozitiv, vënien në lëvizje maksimale të gjithë mekanizmave të qeverisë shqiptare, që ajo të kërkojë qartë e prerë zbatimin e marrëveshjes.“Drini: një vizion strategjik i përbashkët” dhe në këtë mënyrë ne bëjmë as më shumë dhe as më pak por detyrën tonë ndaj pasurisë së përbashkët kombëtare, ku rezervat ujore janë të tilla dhe strategjike, por njëkohësisht bashkohemi me ato shqetësime shumë të mëdha të opinionin publik, i cili kërkon në mënyrë të drejtë dhe të përsëritur transparencë. Transparencë dhe shqetësim të cilin siç thashë edhe në krye të herës në mënyrë të veçantë dhe specifike, deputeti i qarkut Dibër, z. Përparim Spahiu e kë kërkuar në mënyrë insistuese për shkak të ndjeshmërisë së një problematike e cila sikurse ai e paralajmëronte rrezikonte të hynte në një rrjedhë të tillë sikurse ajo për fat të keq ka hyrë. Interpelanca urgjente është kërkuar të realizohet në seancën më të parë të parlamentit dhe është depozituar në selinë e Kuvendit dhe një kopje e kërkesës i është vënë në dispozicion të gjithë medias. Ju faleminderit të gjithëve” shtoi Vasili.Një ditë më parë shoqëria civile dhe qytetarët e Dibrës e Tiranës zhvilluan një protestë përpara Piramidës në kryeqytet, kundër devijimit të lumit Radika, për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës.