Miqësoret për Kosovën, FIFA vendos më 10 janar

Organizata e futbollit botëror FIFA do të vendosë më 10 janar të vitit të ardhshëm në lidhje me kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për të zhvilluar ndeshje miqësore me kombëtaren A. Kështu ka vendosur Komiteti Ekzekutiv i këtij organizmi të futbollit botëror në mbledhjen e zhvilluar në Salvador Bahia, në Brazil."Në këtë mbledhje diskutuam edhe për çështjen e Kosovës. Vendimi për zhvillimin e ndeshjeve miqësore të saj do të merret më 10 janar", deklaroi presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.Drejtuesit e futbollit kosovar shprehen optimistë për marrjen e dritës jeshile për zhvillimin e ndeshjeve miqësore të kombëtares A, ndërkohë që përfaqësuesit serbë tek FIFA deklarojnë se do të bllokojnë çdo nismë të Kosovës. FIFA ka kushtëzuar njohjen e Federatës së Kosovës me anëtarësimin e vendit në OKB, ndaj kërkesa e FFK-së nuk është anëtarësimi në FIFA, por lejimi i ndeshjeve miqësore. Në fakt ky vendim ishte paralajmëruar disa ditë më parë, madje edhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës janë të përgatitur madje të bindur së në fillim të 2014 Kosova do të ketë të drejtën për të luajtur takime miqësore ndërkombëtare.Në faqen zyrtare të FIFA-së bëhet gjithashtu e ditur se Komiteti Ekzekutiv është informuar edhe për takimin ndërmjet Krerëve të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe atyre të Serbisë, i zhvilluar më 10 tetor në Zurich. Mendohet se para se të jepet vendimi do të ketë një tjetër takim me palëve, që të arrihet një konsensus fillestar, ndoshta që Kosova t'i zhvillojë takimet miqësore pa simbolet e saj, ndonëse qëndrimi i palës serbe deri tani ka qenë i prerë kundër.