Pogba fiton "Golden Boy": Tashmë dua Topin e Artë

"Shpresoj që një ditë të fitoj Topin e Artë" - këto kanë qenë fjalët e para të Pol Pogbas pas fitimit të çmimit "Golden Boy", si lojtari më i mirë 21-vjeçar i Evropës. Përveç mesfushorit të Juventusit, në këtë garë ishin edhe belgu Romelu Lukaku, gjermani Julian Dreksler, francezi Rafeal Varan dhe brazilani Markinjos."Isha në listën e 50 futbollistëve edhe vitin e kaluar, por isha shumë i ri ndërsa nuk kam zhvilluar edhe ndeshje të mjaftueshme për këtë trofe. Jam krenar për këtë çmim pasi është pjesë e karrierës të futbollistëve të mëdhenj," ka thënë mes të tjerash Pogba.  Francezi i lindur në vitin 1993, karrierën e vet e ka nisur tek Mançester Junajted, ndërsa kualitetin e vet e ka treguar në fanellën e Juventusit, ku luan nga vitit 2012. Deri më tani Pogba ka zhvilluar 41 ndeshje dhe ka shënuar 9 gola."Kur isha fëmijë mendoja të fitoja një trofe si ky. Dua të falenderoj familjen time, e cila më ka ndihmuar edhe kur gjërat nuk ishin aq të bukura. Dua të falenderoj Juventusin, të gjithë ata që punojnë pranë kësaj skuadre, por sigurisht që dua të falenderoj edhe M. Unitedin skuadra ku u rrita si futbollist" - tha francezi.Më pas në intervistën e tij pas çmimit Pogba lëshon të tjera fjalë të mira për bardhezinjtë."Në Vinovo ndjehem si në shtëpi, por mendoj se në fushën e lojës duhet të përmirësoj shumë gjëra. Më mjafton të shoh Pirlon se sa shumë punë kam për të bërë, të paktën sa i përket teknikës. Mesfusha e Juves më e forta? Nuk e di por është më e bukura. Championsi është ëndrra e të gjithëve por duhet të kemi durim. Topi i Artë? E meriton Pirlo" - u shpreh talenti i Juventusit.