Yaya Toure, "Lojtari afrikan i vitit"
Yaya Toure fiton çmimin "Lojtari afrikan i vitit 2013". Mesfushori nga Bregu i Fildishtë, i nominuar për këtë çmim edhe gjatë 4 viteve të shkuara, ka lënë pas Pierre-Emerick Aubameyang, Victor Moses, John Obi Mikel dhe Jonathan Pitroipa. Lajmin e bën të ditur BBC ku mesfushori i Manchester City-t është shprehur i lumtur duke theksuar se ndoshta ky ishte viti i tij pas 4 nominimeve rresht."Është një vlerësim shumë fantastik, sepse ka edhe shumë lojtarë të mëdhenj në botë në Afrikë të cilët po bëjnë shumë mirë. Futbolli Afrikan më ka dhuruar shumë, janë të gjithë fantastik dhe i falenderoj" - tha mesfushori i Sitit.Në vijim të intervistës dhënë për televizionin publik britanik, Toure theksoi se ky është një çmim me shumë peshë sepse në të shkuarën e kanë fituar lojtarë të mëdhenj nga kontinenti i zi. Ai shtoi gjithashtu se futbolli afrikan po përmirësohet çdo vit e më shumë dhe treguesi më i qartë është karriera që po bëjnë shumë futbollistë në disa nga kampionatet më të njohur të Europës.Lista me emrat kandidatë përbëhej nga 44 emra, të cilët u votuan nga një numër rekord tifozësh online me një mesazh virtual. Ky është trofeu i vetëm që Toure fiton në vitin 2013 sepse si me klubin ashtu edhe me kombëtaren, mesfushori nuk ka arritur të regjistrojë asnjë sukses, por paraqitja e tij në fushën e lojës bëri që tifozët të mbështesin në pjesën dërrmuese kandidaturën e tij.Gjatë këtij viti, 30-vjeçari ka shënuar 13 gola me Manchester City-n dhe Bregun e Fildishtë duke e ndihmuar skuadrën kombëtare për kualifikimin drejt Kupës së Botës 2014.