La Liga, ndeshjet e javës së 15-të

Primera Division luan këtë fundjavë aktin e 15-të sezonal, ku tre skuadrat e kreut do të vihen sërish në provë për të ruajtur pozitat aktuale. Kjo fundjavë nisi me një barazim të çmendur në "El Madrigal", në përballjen mes Villareal dhe Magalas. Vendasit kryesuan deri në minutën e fundit shtesë falë golit të Sorianos që u realizua në të 32, por Uellington shtangu publikun vendas me një goditje me kokë në aksionin e fundit të sfidës. Në takimin tjetër të javës së 15 të La Ligës Getafes i mjaftoi një gol për të marrë tri pikë ndaj Levantes.Sot në orën 16:00, Atletico Madrid viziton fushën e Elches pas transfertës ndaj Zenitit, ku u paraqit me një formacion të reduktuar. Simeone e ka të gjithë skuadrën në dispozicion pasi shumë prej lojtarëve nuk udhëtuan drejt Rusisë. Me 37 pikë në klasifikim, ekipi i dytë i Madridit kërkon të ruajë ecurinë e jashtëzakonshme të këtij sezoni ku regjistron 12 fitore, 1 humbje dhe 1 barazim, ndërsa vazhdon të mbajë pas krahëve rivalët e të njëjtit qytet me 3 pikë më pak.Diego Costa dhe David Villa pritet ta nisin takimin si titullarë për të çarë mbrojtjen e Elches që edhe pse debutuese në La Liga këtë sezon, mban vendin e 10 me 17 pikë. Sot në orën 22:00 , Reali i Madridit pret në "Santiago Bernabeu" Real Valladolid që këtë sezon i duhet të luftojë fort për të qëndruar mes më të mirëve. Me rikthimin e Cristiano Ronaldos, Ancelotti ka një opsion më shumë në sulmin e skuadrës së tij që duhet të fitojë për të vijuar trendin pozitiv të javëve të fundit.Me 6 pikë më pak se Barcelona, skuadrës "merengues" nuk i tolerohen hapa falsë dhe të paktën në letër nuk duhet ta ketë të vështirë. Nesër Barcelona sfidon Athletic Bilbaon, një kundërshtar që i ka hapur përherë telashe vitet e fundit. Bardhekuqtë të frymëzuar nga suksesit 2-1 në fushën e Malagas renditen në vendin e pestë me 1 pikë më pak se Villarreal, prandaj misioni i tyre është që të mos dalin pa pikë nga kjo sfidë që për ta ka aromë Europe. Nga ana tjetër, Tata Martino duhet t'i bëjë mirë llogaritë për të ndalur skuadrën bashke që me kundërsulmet e saj mund t'u bëjë keq kampionëve në fuqi, për të cilët dy humbje rresht do të ishin të tepërta.