Alpin Gallo largohet nga Tirana

Alpin Gallo nuk do të jetë më tekniku i Tiranës. Ai ka zhvilluar dje stërvitjen e fundit me ekipin bardheblu dhe në përfundim të saj ka dhënë lajmin e largimit nga klubi i Tiranës. Ai edhe më parë edhe në emisionin Ora Sport u shpreh se nëse nuk do të ndjehej mirë dhe i vlefshëm për skuadrën do të ishte i gatshëm dhe moment për largimin e tij duket se erdhi. Gallo  e mori skuadrën në një situatë shumë delikate dhe e la thuajse në ato ujëra dhe mos më keq. Fakti është që ai nuk mundi të marr asnjë pikë me bardheblutë në 4 takimet që drejtoi skuadrën në Superligë, ndërkohë që siguroi një fitore 3-1 me Albetrolin.Në ekipin e Tiranës tashmë është afruar Luixhi Gargano, që me shumë mundësi do të jetë trajneri i ardhshëm i skuadrës. Dje ai ka bërë përgatitjen atletike për ekipin duke shkaktuar edhe pakënaqësi te Gallo që e ndjeu veten të tepërt dhe u largua. Kujtojmë se italiani nuk ka drejtuar asnjë ekip në karrierën e tij dhe nuk e ka licencën e trajnerit. Një tjetër alternative shumë e diskutuar në ambientin bardheblu për të marre drejtimin mund të jetë edhe një ish-lojtarë, Elvis Sina. Tirana do të luaj nesër sfidën e radhës në transfertë ndaj Lushnjës, një takim delikat për fatet e sezonit të bardhebluve që vazhdojnë të qëndrojnë në fundin e tabelës.