Lionel Mesi : Jeta ime është Barcelona

Ai vazhdon të jetë i dëmtuar, por mbetet edhe nga jashtë fushës më i votuari e ndoshta dhe lojtari që ka shansin historik të jetë fitues i pesë herë "Topit të Artë" radhazi, çka do ta bënte lojtarin më të mirë të historisë së futbollit botëror. Por para se të ndodhë dhënia e çmimit për lojtarin e vitit më 13 janar, dje ai mori një çmim special që ka të bëjë me golat e shumtë që ka shënuar në kampionatin spanjoll. Bëhet fjalë për Lionel Mesin, të cilit dje iu dorëzua "Këpuca e Artë" për sezonin 2012-2013, çmim që e fiton për herë të tretë në karrierën e tij.I shoqëruar nga presidenti Sandro Rosell, trajneri Tata Martino dhe shokët e skuadrës Ksavi Hernandez, Jordi Alba, Adriano, Gerard Pique, Çesk Fabregas, Karlos Pyjol dhe Pinto, argjentinasi pozoi me trofeun personal që do t'i shtohet palmaresit të tij të pasur, sepse kjo është hera e parë që një lojtar e fiton tre herë këtë çmim.Gjatë fjalës së tij, numri 10 foli për gjendjen e tij fizike, duke u shprehur se ky është një dëmtim që kërkon kohën e duhur."Dua të përmirësohem dalëngadalë që të mos ndiej më dhimbje. Nuk kam caktuar ende asnjë datë rikthimi dhe sepse dua t'i marr gjërat me radhë për të mos u nxituar".Për këmbën e tij të dëmtuar vjen një "Këpucë e Artë", por Mesi nuk zhbalancohet sepse për të janë më të rëndësishëm trofetë e skuadrës. "Këpuca e Artë"? Më vjen mirë që e fitova por nuk ka qenë asnjëherë objektivi jonë. Aktualisht duhet të mendoj vetëm për të punuar sa më shumë pasi dua të luaj i qetë dhe të mos ndiej më vështirësi. Gjithsesi, këtë trofe ia dedikoj familjes time dhe personave që më kanë qëndruar pranë në momentet më të vështira. Dua të falënderoj edhe gjithë shokët e skuadrës pa ndihmën e të cilëve nuk do ta kisha marrë këtë trofe". Në fund edhe një koment për Barcelonën e Tata Martinos. "Është folur gjatë se kjo skuadër ka ndryshuar stilin e të luajturit por unë nuk mendoj kështu. Jemi një skuadër në rritje dhe tashmë kemi më shumë variacion dhe zgjidhje për të mundur kundërshtarët".