Shqipëria mundet sërish nga Spanja
Shqipëria është gjunjëzuar sërish përballë Spanjës. Një gol i Iker Muniain në minutën e 66 dhe një i Deulofeut në minutën e 88 mjaftuan që Spanja U21 të triumfojë në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta" të Elbasanit përballë Shqipërisë U21, e vlefshme për kualifikimet e Europianit. Edhe pse me një ekip të tejmbushur me yje që luajnë në ekipet më të mëdha të globit si: Barcelona apo Real Madrid, kampionët e Europës në fuqi nuk e patën shumë të lehtë të çanin djemtë e Skënder Gegës.Më fillimin e lojës Kruja, driblon bukur mbrojtësin kundërshtar dhe pason për të Shkurtaj, në pozicion ballor me portën spanjolle godet por bllokohet nga mbrojtësi mik. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa në 45 minutat e dyta Spanja rriti presionin duke gjetur edhe golin e fitores me anë të talentit të Athletic Bilbaos pas asistit të talentit të Barcelonës Sergi Roberto, ndërsa goli i lojtarit të Everton erdhi në fundin e ndeshjes kur kuqezinjtë ishin hedhur përpara.Por duhet theksuar se prezenca në fushën e lojës e futbollistit të Kombëtares A Ergys Kaçe i përforcoi Shpresat tona dhe talenti korçar u shndërrua në disa raste rreziku numër një për portën e Pacheco.Kjo është fitorja e gjashtë rradhazi për Spanjën, ndërsa Shqipëria mbetet në kuotën e 3 pikëve, të fituara ditë më parë në fitore 2-0 në Hungari.