Ibrahimoviç 2- Ronaldo 3
Katër biletat e fundit nga Evropa për Botërorin e vitit të ardhshëm i kanë marrë Portugalia, Franca, Kroacia dhe Greqia. Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, ka heshtur mbrëmë atë që njihet si "Arena e Zlatanit". Ronaldo shënoi tre gola, për t'ia siguruar Portugalisë kualifikimin në botërorin "Brazili 2014".Portugalia e fitoi ndeshjen e kthimit ndaj Suedisë. Ndeshja e luajtur në qytetin suedez, Solna, u mbyll 2:3 për portugezët. Portugalia kishte fituar edhe ndeshjen e parë në Portugali, 1:0. Edhe atë ndeshje e pati vendosur Ronaldo, duke fituar kështu betejën me yllin suedez, Zlatan Ibrahimovic, që në ndeshjen e kthimit shënoi të dy golat për Suedinë, por të pamjaftueshëm për të prerë biletën për Brazil.Në të vërtetë, të pesë golat e ndeshjes së kthimit u shënuan në pjesën e dytë. Ronaldo (50') shënoi golin e epërsisë për Portugalinë, duke realizuar pas një kundërsulmi të shpejtë. Dukej se gjërat do të ishin komode për Portugalinë, mirëpo pasuan dy goditje nga Ibrahimoviçi. Ai realizoi golin e barazimit në minutën e 68-të me një gjuajtje me kokë pas një goditjeje nga këndi, kurse katër minuta më vonë dërgoi Suedinë në epërsi me një gol të shënuar nga një goditje e lirë nga rreth 17 metra. Suedisë i duhej edhe një gol për të arritur kualifikimin, por në atë çast doli Ronaldo në skenë. Ai shënoi dy gola të shpejtë brenda dy minutave (77', 79'), për të heshtur tifozërinë vendase.Me dy golat, Ronaldo ka arritur në shifrën e 47 golave me fanellën e Portugalisë, duke barazuar rekordin e Pedro Pauletas. Ndërsa sërish vertetuam se Ronaldo dhe Ibrahimovic për momentin janë dy ndër futbollistët më të mirë në botë. Me klasin dhe me lojën e tyre çdo sekond mund të presim diçka të bukur. Mbrëmë betejën e fitoi Ronaldo, tashmë përpara është edhe sfida e topit të artë, atje ku portugezi tashmë ka rritur pikët për ta fituar.