Benitez: Në janar pres blerje në merkato
Marek Hamsik është në dyshim për sfidën Napoli-Parma. Lajmin e bën të ditur vetë trajneri i kaltër, Rafa Benitez, i cili shprehet se mjekët duhet të vlerësojnë gjendjen e sllovakut. Në një konferencë për shtyp, tekniku spanjoll zbuloi disa nga objektivat e shoqërisë italiane ku bëjnë pjesë merkatoja e Janarit dhe sfida delikate në Dortmund."Kundër Borussias do të jetë një ndeshje e rëndësishme por ndoshta vendimtar do të jetë takimi kundër Arsenalit. Dy 90 minutësha me peshë të madhe prandaj kërkoj që skuadra të jetë 100 % e gatshme të zbresë në fushë me shpirtin e duhur. Besoj se të gjithë janë të kënaqur me punën që po bëjmë sepse këtë e tregon fakti që po luajmë mirë. Por përpara se të mendojmë për Champions League dua një reagim të qartë kundër Parmas sepse ndaj Juventusit gabuam shumë" tha Benitez.Trajneri i Napolit më pas theksoi se po punon prej muajsh për tu përforcuar në merkato së bashku me Bigon. Ai u shpreh se skuadra ka nevojë për blerje dhe sipas tij federate italiane duhet të zgjeroj organikën e lojtarëve që mund të lejohen në një skuadër. Në fund edhe një mesazh për lojtarët sepse pjesa e mbetur deri në pushimet e fundvitit është vërtet e ngjeshur, jo vetëm për Napolin por për të gjitha skuadrat italiane që marrin pjesë edhe në Europë."Tani kemi përpara plot 8 ndeshje, të gjitha të rëndësishme, ashtu siç do të jenë edhe 10 ndeshjet e fundit të kampionatit, prandaj dua ta shikoj Napolin tim duke luftuar sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të fitojmë".