Vettel vazhdon dominimin edhe në SHBA

Piloti i skuadrës së Red Bullit, Sebastian Vettel, ka arritur fitoren e parë për Çmimin e madh të Amerikës, që u zhvillua dje në Austin të Teksasit. Fitorja e tij në asnjë moment nuk u vendos në pyetje, pasi ai udhëhoqi garën prej sekondës së parë e deri në atë të fundit të garës. Me suksesin e djeshëm Vettel realizoi fitoren e tetë rresht në këtë edicion të kampionatit botëror të Fomula 1, edhe pse kjo për të ishte vetëm garë prestigji, pasi ai e kishte të siguruar titullin e kampionit edhe para Austinit.Më interesante ishte gara për vendin e dytë ndërmjet francezit Romain Grosjean (Lotus) dhe Mark Webber (Red Bull), të cilën e fitoi francezi, ndërsa australiani Webber u detyrua të kënaqet me vendin e tretë, edhe pse startoi si i dyti, por që në metrat e parë u tejkalua nga Gorsjean.  Piloti francez arriti vendin e tij më të mirë për këtë sezon duke barazuar njëkohësisht rezultatin më të mirë në karrierë, 17 muaj më parë në Kanada.I katërti përfundoi Lewis Hamilton (Mercedes), ndërsa Fernando Alonso (Ferrari) përfundoi i pesti. Gara e fundit, ajo për Çmimin e Madh të Brazilit është në program të dielën e ardhshme dhe aty mbase pritet të vendoset vetëm për vendin e dytë të konstruktorëve ndërmjet Mercedesit dhe Ferrarit.