Gareth Bale: Ronaldo, i jashtëzakonshëm

Mesfushori i Real Madridit, Gareth Bale, është shprehur i mahnitur me formën e bashkëlojtarit të tij, Cristiano Ronaldo, derisa ka paralajmëruar se forma e tij më e mirë do të vijë në vazhdim të edicionit. Ai u shpreh i lumtur dhe krenar që luan në një skuadër me yllin portugez, i cili në këtë edicion ka shënuar 24 gola në 17 ndeshje të luajtura në të gjitha garat."Cristiano është i jashtëzakonshëm, ai shënon 'het-trik' çdo javë. Është kënaqësi të luash me të në një skuadër", ka thënë Bale për Real Madrid TV. Ndërkohë, vetë uellsiani, për të cilin Reali pagoi rreth 100 milionë euro, kohët e fundit ka arritur ta rigjejë formën e tij më të mirë, duke shënuar tre gola dhe pesë asistime në shtatë paraqitjet e tij në Primera Division. Megjithatë, uellsiani ka paralajmëruar rivalët të presin edhe më shumë nga ai gjatë javëve të ardhshme."Forma ime më e mire, ka për të ardhur. Tani kam përfunduar vetëm fazën parasezonale dhe ende mund të jap shumë më tepër. Tani do të jam në gjendje të shënoj më shumë gola dhe ta ndihmoj skuadrën të arrijë suksese. Ishte vetëm çështje kohe derisa të arrija në 100 përqindshin tim. Tani të gjithë po e shohin se çfarë mund të bëj. Gjithsesi, kam nevojë të vazhdoj të punoj dhe shpresoj të shënoj shumë gola", ka nënvizuar Bale.