Fitojnë Arsenali dhe Napoli

Një ndeshje spektakolare ka rezultuar sfida midis Dortmundit dhe Arsenalit në “Signal Iduna Park”.Miqtë kanë arritur të hakmerren për humbjen e dy javëve më parë në Angli duke fituar minimalisht në Gjermani. Skuadra e Klopp nuk rezistoi përballë anglezëve të cilët konfirmuan edhe njëherë se janë  një skuadër me mjaft kualitet edhe në Ligën e Kampioneve. Heroi i ndeshjes ishte Aron Ramsej. Duhet theksuar që vendasit krijuan raste të shumta shënimi por nuk mundën të gjenin rrjetën e portës së skuadrës angleze.Atmosfera në “Signal Iduna Park” ishte spektakolare dhe miqtë në minutat e para nuk mundën të dilnin në lojën e tyre. Portieri Shezni bëri disa pritje shumë të mira në minutat e para duke shpëtuar skuadrën e tij. Për topçinjtë sinjalin e parë do ta jepte Ozil që goditi fortë nga jashtë zonë, por Venidenfeller ishte në pozicionin e duhur. Me gjithë këmbënguljen e vendasve pjesa e parë do të mbyllej me rrjeta të paprekura. Arsenali u mundua të luante me anë të kundërsulmeve por mungesa e Uollkot u ndje shumë.Arsenali në pjesën e dytë ishte më e freskët. Kur u mendua se Dortmund do të shënonte golin e avantazhit, Arsenali befasoi me një aksion model. Mesut Ozil bëri një kalim të bukur nga e djathta, më pas Ramsej në minutën e 60-të bën të heshtin 80 mijë tifozë.Ndërkaq një tjetër takim shumë i bukur u luajt edhe në “San Paolo” atje ku Napoli mori një fitore shumë të vlefshme 3-2 ndaj Marsejës. Napolitanët u gjendën shumë shpejtë në disavantazh ndaj francezve por arriti të kthej më pas gjithçka në favor të saj. Gonzalo Higuain ishte lojtari vendimtar për Benitez pasi shënoi dy gola vendimtar. Ajev ishte i pari që bëri të heshtin italianët. Napoli ju kundërpërgjigj shumë shpejtë me dy gola të njëpasnjëshëm në minutën e 22-të dhe 24-të. Më këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Si në pjesën e parë francezët gjejnë shumë shpejtë rrugën e rrjetës me Thauvin. Ndërsa 15 minuta para fundit do të ishte Higuain i cili shënoi golin e fitores.Në grupin e F ose të Ferrit, Arsenali kryeson me 9 pikë aq sa ka edhe Napoli , Dortmundi ka 6 pikë ndërsa Marseja deri më tani është në fund pa asnjë pikë.