Java e 10-të e Superligës, spikat dueli Skënderbeu-Partizani
Java e dhjetë e kampionatit kombëtar të Kategorisë Superiore do të rezervojë një tjetër ndeshje të madhe,mes Skënderbeut e Partizanit, cilësuar edhe si me mjaft peshë për vazhdimësinë e garës për të dyja skuadrat. Trajneri Hasan Lika ka deklaruar se kjo përballje e rëndësishme duhet të flasë për Partizanin dhe se skuadra e tij e gjen forcën e duhur në momentet e vështira pikërisht nga ndeshje të tilla në transfertë.Ecuria e Partizanit në ndeshjet në transfertë ka qenë më e mirë se sa ndeshjet brenda fushës dhe kjo i jep shpresë skuadrës së kuqe për ndeshjen e nesërme ndaj kampionit në fuqi, Skënderbeut. Padyshim ë korçarët janë favoritë dhe kjo lidhet jo vetëm me faktin e ata luajnë në fushën e tyre, por edhe se kanë në përbërje një grup lojtarësh më cilësorë dhe në formë të mirë. Trajneri Mirel Josa është shprehur se kjo ndeshje nuk është përcaktuese për vijimësinë e garës apo për fatet e titullit, por i takon sipas t ij Skënderbeut të tregojë se nuk është rastësisht kampion në fuqi e ta fitojë bindshëm ndeshjen në prani të tifozëve të tij. Dueli midis dy skuadrave që zhvillohet pasdite në stadiumin e Korçës pritet me shumë interes, edhe për faktin e Skënderbeu është bashkëkryesues me Teutën në kuotën e 19 pikëve dhe i duhet të ruajë ritmin për të mos humbur vendin e parë.Nesër Tirana do të presë në kryeqytet Flamurtarin me dëshirën e madhe për të marrë tri pikët e para me trajnerin e ri Alpin Gallo. Situata në kampin bardheblu paraqitet shumë delikate, pasi në 9 javë kampionat kanë shënuar vetëm 3 gola. Nuk ndodhet në një situatë më të mirë Flamurtari, që pavarësisht suksesit me Kukësin javën e kaluar ka nevojë për shumë pikë për t'iu shmangur zonës së ftohtë.Takimi tjetër i së shtunës është Lushnja - Besa. Ndërsa të dielën Kategoria Superiore do ët mbyllet me takimet Laci - Kukësi dhe Vllaznia - Bylis, dy sfida mjaft interesante nëse I referohesh ecurisë së rezultateve të javëve të fundit.