Parma-Milan, kuqezinjtë akuzojnë Valerin

Milani është në krizë dhe drejtuesit kuqezinj duket se e kanë gjetur shkakun e humbjes së fundit ndaj Parmës duke akuzuar arbitrin. Gjithmonë vendimet arbitrare janë kontestuar, sidomos aty ku për çështje centimetrash shënohet ose mohohet një gol, si rasti i Muntarit në Milan-Juventus të para disa sezonesh.Por ndaj Parmës gabimi është trashanik pasi Parolo ka fituar plot 8 metra në ekzekutimin e goditjes së dënimit dhe ky fakt ka tërbuar kuqezinjtë. Në faqen zyrtare në internet, Milani proteston duke treguar me dy foto momentin dhe vendin se ku është shkaktuar faulli, dhe më pas vendosjen e topit në goditjen e dënimit që solli golin e fitores për Parmën.Këtu lind dhe reagimi i kuqezinjve që dy sezone më parë humbën titullin për një telefon të Gallianit dhe një gol të anulluar të Muntarit. Por sot situata është ndryshe, pasi nuk bëhet fjalë për çështje centimetrash por plot 8 metra, dhe kaq mjafton që Valeri, gjyqtari i kontestuar në derbin e kampionatit të kaluar për golin e anulluar të Montolivos dhe penalltinë e mos akorduar për Robinjon të përfundojë në bankën e të akuzuarve. Pavarësisht se Galliani ka akuzuar skuadrën, nuk nguron nga ky fakt të ngrejë tonin edhe ndaj gjyqtarëve në përgjithësi. Madje administratori i deleguar ka shkuar më tej duke kërkuar nga drejtuesit e shoqatës së gjyqtarëve në Itali të dalin publikisht dhe të kërkojnë ndjesë për gjithcka po ndodh.Ndërkohë që Galliani pret fjalën magjike, është presidenti i kësaj shoqate Marcello Nicchi që deklaron se nuk i detyrohet askujt për të kërkuar falje, pasi sipas tij në fushë nuk janë parë gabime trashanike.Sipas Nicchit është e vërtetë që Parolo përfitoi disa metra, por edhe lojtarët në fushë nuk reaguan, për të treguar se gjyqtari po gabonte. Në këtë mënyrë Nicchi mbron Valerin duke evidentuar se gabuan edhe Milanistët që lejuan ekzekutimin e goditjes së dënimit në atë pozicion.  Replikën e mbyll sërish Galliani, sipas të cilit presidenti i shoqatës së arbitrave Marcello Nicchi fton futbollistët të protestojnë një vendim të gabuar të gjyqtarit në fushë.