Rudi Garcia: Nuk mendoj për rekordet !
Pa Totin në fushë dhe pa shërbimet e Xhervinjos, Roma do të udhëtojë në Udine për të synuar fitoren e 9 në 9 ndeshje. Por trajneri i verdhekuqve Rudi Garcia paralajmëron tifozët se tashmë fillon pjesa më e vështirë e sezonit si pasojë edhe e dëmtimit të kapitenit Francesco Totti. Ai thekson se kjo do të jetë një sfidë e radhës."Jemi të përqendruar në këtë ndeshje. Nuk jemi të përqerndruar te rekordet, jemi të përqendruar të bëjmë lojën tonë, edhe pse e dim shumë mirë forcën e Udinezes do të përpiqemi të bëjmë ndeshjen tonë. Pa kapitenin do të jemi një skuadër ndryshe. Nuk duhet të harrojmë këtu që nuk kemi në dispozicion as Gervinho. Gjithsesi lojtarët që kam në dispozicion, përfshirë këtu edhe Ljajic e Marquinho janë gati për sfidën kundër Udineses".Trajneri francez përqëndrohet te transferta e kësaj fundjave, duke kërkuar të mbajë lart moralin pas 8 fitoreve të para."E kemi treguar edhe në ndeshjet e shkuara se jemi në gjendje të luajmë në të njëjtat nivele edhe nëse skuadra ndryshon. Të jemi të qartë, në Udine shkojmë për të fituar. Skuadra do të luajë edhe për kapitenin tonë dhe do të jemi madje më të bashkuar se kurrë".Ngjajnë me një marsh lufte fjalët e Garcias, i cili e pranon se sfida e Friulit ka një shkallë të lartë vështirësie."Të dielën do të luajmë një sfidë shumë të vështirë sepse Udinese ka treguar një futboll të mirë. Nuk humbasin në shtëpi që prej 22 ndeshjesh por unë kam në dispozicion mjetet e duhura".Një fitore e mundshme në javën e nëntë do të barazonte rekordin që mbahet nga Juventusi i Capellos, por teknikut nuk i pëlqen të flasë për rekorde.