Juve, mbrojtja kthehet në problem

Nga pika më e fortë në atë më të dobtën. 10 gola të pësuar në vetëm 8 javë kampionat nuk është një statistikë që i shkon për shtat Juventusit. Këto shifra tërheqin edhe më shumë vëmendjen kur flasim për Juventusin e Kontes, që pikën më të fortë kishte pikërisht mbrojtjen.Në javët e para të sezonit bardhezinjtë nuk konsiderohen më si të pamposhtur, perkundrazi vetëm Sampdoria dhe Torino nuk ka mundur t'i shënojë Bufonit. Nën akuzë është vënë thjesht faza mbrojtëse. Teza që mbështetet më shumë është se lojtarët nuk po vrapojnë shumë, por nga ata që ia hedhin fajin Bufon, madje shkojnë deri aty sa ta konsiderojnë të mbaruar.Çuditërisht, Juventusi është skuadra që në kampionatet respektive që ka pësuar mesatarisht më pak gjuajtje në portë në Europë: vetë 8.1 goditje për ndeshje. Më mirë se Bajerni i Mynihut, më mirë se Reali madje edhe më mirë se vetë Roma, që ka pësuar vetëm një gol.Kompaktësia në fazën mbrojtëse ishte dhe është akoma. Me një llogari të thjeshtë, 8 goditje për ndeshje përkthehen në 57 gjuajtje në total drejt portës bardhezi. Më pak se gjysma, pra 30 gjuajtje, kanë qenë brenda kuadradit të portës, ndër të cilat 10 kanë përfunduar në rrjetë. Sërish matematikë e thjeshtë: 33% e goditjeve në kuadrat kanë përfunduar në rrjetë. Numra që e drejtojnë gishtin nga portieri.Bufon kohët e fundit e ka bërë ndonjë gafë, por që më shumë është shpërqendrim i skuadrës. Statistikat janë shumë domethënëse: 57 goditje të total, nga të cilat 30 në kuadrat dhe 10 në rrjetë. Diçka nuk shkon brenda zonës së 16 metrave. Bufon duhet të zgjohet.