De Laurentis: Të krijohet Superliga e Evropës
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka përkrahur idenë e formimit të Superligës së Evropës me ekipet më të mëdha të kontinentit. Regjizori italian i njohur për suksesin e tij në futboll me Napolin, beson se klubet do të mund të përfitonin pesë herë më shumë në rast të formimit të një Superlige evropiane."Unë dua që kampionatet lokale të zvogëlohen me nga 16 ekipe dhe të krijohet një kampionat më i gjerë evropian për klube, që do të sillte përballë njëri-tjetrit pesë ekipet më të mëdha të pesë kampionateve më të forta të kampionateve në Evropë. Një javë do t'i jepej hapsirë kampionateve vendase, kurse javëve të tjera do të zhvilloheshin ndeshjet me ekipe si Manchester United, Real Madrid, PSG, Bayern dhe AC Milan".Më pas ai foli dhe për përfitimet stratosferike që do të përfitonin klubet në rast se do të vihej në zbatim kjo ide."Do të ishte çmenduri, fundi i botës. Gara do të mund të gjeneronte deri në pesë miliard dollarë - një revolucion. Të gjithë janë të kënaqur duke fituar 40 milionë euro në sezon në Ligën e Kampionëve. Unë nuk jam i kënaqur. Unë dua të fitoj 150 milionë euro, e pse jo edhe 200 milionë euro", ka deklaruar De Laurentiis për L'Equipe.