De Biasi firmos edhe për 2 vjet për tu kualifikuar
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe trajneri Xhani De Biazi kanë zyrtarizuar sot zgjatjen e kontratës së trajnerit Italian dhe për dy sezone të tjera me opsion rinovimi.
Kreu i Federatës u shpreh se kjo marrëveshje erdhi si pasojë e punës së De Biazit nën drejtimin e kuqezinjve. Lidhur me objektivat ai u shpreh se janë parësore. Ndërkohë De Biazi pasi falenderoi presidentin për besimin premtoi se do të bëjë maksimumin për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve."Falenderoj Presidentin për besimin që tregoi ndaj meje për të më dhënë besimin edhe për eleminatoret e Evropianit. Besoj se të gjithë ne përjetuam një ëndërr se mund të shkonim atje ku në fillim as që e imagjinonim. Në edicionin e ardhshëm do të bazohemi në një grup pak a shumë të konsoliduar dhe nuk do të na duhet të bëjmë rinovime të shumta. Duhet të rritemi më shumë si skuadër dhe të synojmë të arrijmë atje ku të gjithë ëndërrojmë. Në skuadër asnjë lojtarë nuk është fenomen dhe asnjë nuk është i mbaruar. Gjithashtu shpresoj që të mos përsërisim më të njëjtat sjellje si në eleminatoret që lamë pas me komente të nxituara negative apo pozitive. Kualifikimi për në Francë? Ky është objektivi që kemi të gjithë. Duhet të ekzistojë një, por nga ana tjetër duhet të krijojmë ambientin e duhur, edhe me ndihmën tuaj, që të ecim përpara me shumë qetësi".Në kontratën e re është konfirmuar se italiani do të ketë vetëm një rritje shumë të vogël sa i përket anës financiare. Lajmi u konfirmua nga Presidenti Duka.Talenti i Manchester United, Adnan Januzaj, padyshim që është një objektiv dhe vëzhgohet me kujdes edhe nga drejtues të Federatës Shqiptare të futbollit. De Biazi dhe Duka konfirmuan njëzëri se po bëhen përpjekje maksimale që Januzaj të vesh bluzën kuqezi""Po bashkëpunojmë me Federatën, duke e patur të qartë në kokë sesi do të mund ta motivoj këtë djalosh për të luajtur me Shqipërinë. Sigurisht që do ta bëj një tantativë për ta bindur që të luajë me ne".Në fund Presidenti i FSHF foli edhe për stadiumin ku konfirmoi se 22 nëntor do të arrihet marrëveshja me një kompani për menaxhimin e stadiumit.