Mbyllet çështja “Remzi Hoxha”, gjykata 15 vjet burg Kumbaros, dy ish-shiksat amnistohen
Përfundon odiseja katëvjecare e procesit gjyqësor për çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjen e bisnesmenit Remzi Hoxha, në vitin 1995 në Tiranë. Gjykata për Krimet e Rënda ka shpallur fajtor për rrëmbimin dhe vrasjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, të pandehurin Ilir Kumbaro, duke e dënuar atë me 15 vjet burg në mungesë.Po ashtu fajtorë janë shpallur edhe dy të pandehurit e tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi por kanë përfituar nga amnistia, duke shmangur kështu dënimin me burg.Menjëherë pas vendimit të gjykatës, i biri i Remzi Hoxhës u shpreh se drejtësia i vrau të atin për të dytën here, duke mos shprehur dakordësi për vendimin e dhënë nga Gjykata.Aktualisht, ish-shefit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro nuk i dihet vendndodhja, pasi ai iu arratis drejtësisë britanike në dhjetor 2011 dhe aktualisht është i shpallur në kërkim. Kumbaro u arratis në një kohë që në Shqipëri, Gjykata e Lartë kishte dhënë një vendim unifikues, që i hapte dritën jeshile ekstradimit të Kumbaros në Shqipëri.Më 21 tetor të këtij viti u shënuan 17 vite nga zhdukja e biznesmenti shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha. Të tre ish-drejtuesit të SHIK-ut, Avni Koldashi, Arben Sefgjini dhe Ilir Kumbaro janë akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, me pasojë vdekjen e Hoxhës.