Berisha: Do realizojmë ëndrrën e bashkimit kombëtar në BE
Emri i babait të pavarësisë, Ismail Qemali, këtë vit ngrihet lart e më lart jo vetëm në 100 vjetorin e pavarësisë, por edhe me rastin e 50 vjetorit të themelimit të gjimnazit me të njëjtin emër.Në një ceremoni festive organizuar nga vetë nxënësit ,ka marë pjesë edhe kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili tha se gjimnazi Ismail Qemali ka arritur standardet më të larta në procesin e mësimdhënies dhe u garantoi gjithashtu nxënësit se qeveria do të vijojë me investimet për arsimin.“Shkolla juaj ka arritur standartet më të larta në procesin e mësimdhënies. Unë ju garantoj që qeveria do të bëjë investime të tjera në mënyrë që këto arritje të mos njohin kufij. Në model e këtij gjimnazi do bëjmë gjithçka që të gjitha shkollat e vendi të shndërrohen në shkolla të mësimit dixhital, të laboratorëve dhe pajisjeve më moderne që të rritet sa më shumë cilësia. Investimi në mediat tuaja është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Për qeverinë arsimi ka qënë dhe mbetet përparësia e të gjitha përparësive” tha Berisha.Duke vlerësuar dhe arritjet e mëdha të nxënësve të këtij gjimnazi ndër vite, Berisha tha se në këtë 100 vjetor do të realizojmë ëndrrën e bashkimit kombëtar në BE.“Mbeta i impresionuar nga muret e korridorit ku ishin hartat ku nuk kishit harruar asnjë nga trojet shqiptare, ky 100 vjetor i pavarësisë është një kujtesë për gjithë shqiptarët se trojet e tyre etnike duhet të jenë etnike në ndërgjegjen e çdo shqiptari, liria e tyre e shqiptarëve në Maqedoni, Mal i zi, Serbi është sakrificë e cdo shqiptari. Jemi komb me fat se jemi komb i ri, imagjinata juaja është energjia më e madhe e zhvillimit të shpejtë të kombit dhe vendit. Të realizojmë në BE ëndrrën e bashkimit kombëtar”- ka thënë më tej ai.Drejtoresha e ketij gjimnazi i dorëzoi Kryeministrit simbolin e gjimnazit Ismail Qemali. Personalitete të shumta të politikës, stafi pedagogjik , nxënësit kanë shijuar shfaqet me poezi, valle, dhe këngë patriotike.