Përfundon në Manastir turi homazh i Pasardhësve të Rilindasve
Pasardhësit e Rilindasve dhe Klubi i Patriotëve të Rinj përfunduan turin homazh "Rrugëtim në gjurmët e rilindasve" në qytetin e Manastirit, ku u vendos edhe pllakata e re e Kongresit të Manastirit. Pllakata aktuale ishte thyer prej luftës së vitit 2001 në Maqedoni dhe askush nuk kishte denjuar ta ndryshonte.Pllakata e re ishte përgatitur nga Pasardhësit e Rilindasve, përkatësisht me donacionin e studiuesit të njohur Perikli Jorgoni, i cili është pasardhës i rilindasit Hilë Mosi dhe nga koordinatorja e pasardhësve, znj. Elida Jorgoni.Dhurimi u krye në emër të pasardhësve dhe KPR nga pasardhësit e Grigor Cilkës dhe Feim Zavalanit, dy nga protagonistët kryesorë të Kongresit të Manastirit dhe me prezencën e zëvendësministrit të Arsimit të Shqipërisë, z. Ardian Tana."Është kënaqësi që sot ndodhemi këtu, së bashku me pasardhësit e rilindasve, që kanë qenë organizatorët dhe ideatorët e këtij aktiviteti, për të dhuruar një pllakatë në vendin ku u mbajt Kongresi i Manastirit, një pikë kyçe e nacionalizmit shqiptar, një pikë kyçe e Rilindjes Kombëtare. Është kënaqësi për mua që sot ndodhemi së bashku me pasardhësit e familjeve Z|avalani dhe Cilka, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer si për kombin tonë dhe në veçanti në Kongresin e Manastirit. Pllakata e thyer prej vitit 2001 sot, fal kontributit të Perikli dhe Elida Jorgonit do të rregullohet" - deklaroi në emër të Klubit të Patriotëve të Rinj, z. Ardit Bido.Pasardhësja e Grigor Cilkës, Ines Cilka shprehu kënaqësinë e saj që vizitonte sërish shtëpinë ku u mbajt Kongresi i Manastirit dhe homazhit që i bëhej pasardhësit të saj. "Është emocionuese për mua që sot pasardhësit e rilindasve po vendosim një pllakatë në këtë tokë të shenjtë për shqiptarët. Grigor Cilka ka qenë një personazh qëndror në këtë aktivitet dhe jam krenare për kontributin që ai ka dhënë" - deklaroi ajo.Në emër të familjes Zavalani përshëndeti, stërmbesa e Feim Zavalanit, znj. Nezihe Alizoti Kazani. "Më vjen mirë që po rikthehem në shtëpinë e stërgjyshit tim, në shtëpinë ku lindi edhe mamaja ime, dhe ku u mbajt Kongresi i Manastirit. Në shtëpinë e Feim Zavalanit u mblodhën të gjithë patriotët për të vendosur gurin e themelit të alfabetit të përbashkët shqiptarë. Sot, kjo shtëpi i përket gjithë kombit" - tha ajo.Drejtori i Muzeut të Kongresit të Manastirit, z. Gazmend Hoxhaj falenderoi Pasardhësit e Rilindasve dhe Klubin e Patriotëve të Rinj për dhuratën. "Çdo shqiptar i ka dyert e hapura për të vizituar këtë muze të alfabetit shqiptar, aq më tepër pasardhësit e rilindasve tanë dhe patriotët e rinj. Ju falenderoj përzemërsisht për dhuratën dhe ajo do të gjejë vendin e saj shumë shpejt aty ku duhet" - tha z. Hoxhaj.Dhurimi iu bë në emër të pasardhësve dhe KPR drejtorit të Muzeut të Kongresit të Manastirit, z. Gazmend Hoxhaj, i cili premtoi se sot, në përvjetorin e Kongresit të Manastirit kjo pllakatë do të zëvendësojë pllakatën e thyer në hyrje të ndërtesës.