Pensionet-Jo rritje e moshës, por punësim dhe integrim i sistemit privat

Aktualisht skema publike e pensioneve ka mbi 570 mijë pensionistë, që përfaqësojnë 21 % të popullsisë, tregues ky me prirje në rritje. Për sistemin e pensioneve sot shpenzohen mbi 95 miliardë lekë, që përfaqësojnë mbi 85 % të shpenzimeve në total për sigurimet shoqërore. Është fakt se duke analizuar situatën e pensioneve në Shqipëri konstatohet se treguesit kryesorë të këtij sistemi janë shqetësues. Së pari niveli i ulët i të ardhurave (kontributeve) në raport me GDP (5.6% kundrejt 10-12 % që e kanë vendet përreth nesh). Së dyti raporti mjaft kritik i kontribuuesve me përfituesit në sistem; 1.2 kontribuojnë dhe 1 përfiton nga skema. Së treti, raporti shumë i ulët pension-pagë në nivele mesatare 30-35% kundrejt 70-75% që është norma ligjore. Zhvillimi i sistemit të pensioneve dhe rritja e qëndrueshmërisë financiare të tij edhe në Shqipëri është një domosdoshmëri që mendoj se  lidhet me demotivimin e brezit të ri për të marrë pjesë në skemat e sigurimeve shoqërore, sidomos të solidaritetit, mosfunksionimi i skemave private të pensioneve dhe problemet e papunësisë e informalitetit.  Funksionimi i sistemit të sigurimeve shoqërore me bazë të gjere, siç janë skemat “Pay As You Go”janë të  lidhura shumë si me personat që kontribuojnë në skemë, ashtu dhe ato që përfitojnë nga skema, pra me raportin kontribuues-përfitues. Që skema të funksionojë mirë dhe pjesëmarrësit në sistem, të jenë të kënaqur ky raport duhet të jetë 4:1, pra 4 kontribuojnë dhe 1 përfiton. Por kur ky raport prishet dhe zbret deri në 2;1, siç ka vajtur mesatarisht në mjaft vende europiane, apo aq më keq për Shqipërinë në 1.2 me 1, sistemi paraqet vështirësi të financimit të tij. Në këtë kontekst, rritja e moshave të daljes në pension shihet si opsion në përmirësimin e balancimit financiar të sistemit, pasi zgjat periudhën e kontribuuimit dhe shkurton kohën e përfitimit. Por kjo masë nuk duhet parë si  zgjidhëse e vetme e problemit të sistemit të pensioneve.  Rritja e moshës së pensionit është e lidhur ngushtë me shumë faktorë, ekonomikë, social dhe veçanërisht demografikë.  Në vitin 2002 u bë rritja graduale e moshave të daljes për pension për të gjithë kategoritë e punonjësve, nga moshat 45,50 e 55 për gratë, sipas vështirësisë së punës, në moshën 60 vjeç dhe nga moshat 50,55 e 60 për burrat  në moshën 65 vjeç, duke u njësuar me moshat e vendeve të BE-së. Ky si kusht i domosdoshëm për anëtarësim. Kjo reformë është në proces, pra nuk ka përfunduar për të gjitha kategoritë. Për kategorinë e dytë e të tretë(zakonshme) përfundon në vitin 2012 dhe për kategorinë e parë  ku gratë dilnin 45 vjeç dhe burrat 50 vjeç, në vitin 2023. Gjykoj që në radhë të parë duhet të përfundojë reforma e ndërmarrë dhe më pas, kur ajo të përfundojë, të studiohet si do veprohet për moshat në të ardhmen. Me sa jam në dijeni shumë pak vende europiane kanë mosha të daljes në pension 70 vjeç, kryesisht ato skandinave, të cilat kanë një popullsi shumë të plakur, mbi 50 vjeç mosha mesatare dhe shumë pak papunësi, 2-3%. Përgjithësisht moshat e pensionit fokusohen kryesisht 65 vjeç dhe pak vende, si Gjermania, Danimarka po tentojnë ti’ çojnë 67 vjeç, por duke krijuar alternativë. (mundësi daljeje para këtyre moshave nëpërmjet sistemeve private).  Nga shifrat e INSTAT, mendoj se Shqipëria nuk e ka shumë problem plakjen e popullsisë, siç e kanë vendet europiane, çka i ka detyruar të bëjnë rritjen e moshës për të mbajtur ekuilibrin financiar të sistemit. Shqipëria ka një popullsi të re, ku mosha mesatare e saj është 31 vjeç, kundrejt 48 vjeç që e ka Europa. Pra në kemi kontingjente të reja pune për t’u shfrytëzuar nga sistemi i sigurimeve shoqërore, i cili nëpërmjet politikave shtetërore duhet të fokusohet në thithjen e rezervave që ekzistojnë nga papunësia, puna jo formale dhe emigrantët. Nga ana tjetër mendoj se rritja  e moshës së daljes në pension, mund të ketë  impakte negative për ekonominë e vendit, duke shtuar radhët e të papunëve, kryesisht në brezin e ri produktiv, probleme të mëdha sociale, duke i lënë në pritmëri për periudha të gjata kohe, e pa mjete jetese një kontingjent të madh të papunëve, apo personave që janë përgatitur të dalin në pension etj. Gjithsesi, skema e Sigurimeve Shoqërore megjithëse e vetme, pa komponentin e saj privat ka luajtur një rol të rëndësishëm në amortizimin e problemeve sociale të kohës. Por koha ka diktuar mjaft probleme, në disa raste shqetësuese që bëjnë të domosdoshme studimin dhe përmirësimin e saj. Studimi  i skemës duhet të fokusohet në dy çështje themelore:  së pari, konsolidimi i skemës publike shtetërore aktuale nëpërmjet reformave parametrike si; ndryshimi e ngritja e raportit të pensioneve në funksion me raportin e pagave. Diferencat e theksuara të pensioneve, brenda së njëjtës kategori, si rrjedhojë e mosindeksimit sipas indeksit të rritjes së çmimeve dhe ndryshimi i mënyrës së llogaritjes së pensioneve, duke i lidhur më mirë me kontributet që kanë derdhur, duke hequr kufizimet diskriminuese…Si element i shtuar do të ishte vendosja dhe vënia në funksionim e sistemeve të alternuara të pensioneve si ai privat. Që pas viteve ‘90 sistemi privat është pjesë përbërëse e sistemit të përgjithshëm të pensioneve. Si rrjedhojë e ndryshimeve demografike që po ndodhin, ku popullsia e tretë po rritet me ritme shumë të larta, sistemi shtetëror i pensioneve, i konfiguruar mbi bazën e parimit të solidaritetit e vazhdimësisë së brezave, e ka të pamundur t’i garantojë një jetë të qetë financiare kësaj moshe. Prandaj paralelisht me të,fillimisht si kompensuese e me pas edhe dominuese, janë krijuar skemat private të pensioneve. Kjo do të kërkojë që të inkurajohet skema vullnetare suplementare e sapo krijuar e pensioneve dhe të studiohet dhe gradualisht të vendoset sistemi privat i detyruar, çka do të kërkojë një ndarje të kontributit në dy pjesë; një kontribut shoqëror që do duhet të përballojë sistemin aktual të pensioneve dhe një pjesë kontribut individual, që do derdhë në llogaritë e veta të fondit të pensioneve.  Nga ana tjetër kërkohet zgjidhja përfundimtare e pensioneve të fermerëve. Ekzistenca e dy pronave në të kaluarën kushtëzoi vendosjen e dy sistemeve të pensioneve. Pensionet për punonjësit shtetërorë dhe pensionet për punonjësit e ish-kooperativave bujqësore. Dallimet në pronësi favorizuan edhe dallimet në masën e pensionit. Skema e sigurimeve të pensioneve në fshat duhet të kthehet në sistem vullnetar dhe të funksionojë si kolonë e tretë. Ne fakt mjaft vende të botës, sistemin e pensioneve në fshat e kanë vullnetar, por duhet të pranojmë se ato kanë vetëm 5 % të popullsisë në fshat.  Mundësia e dytë, të mbetet i detyruar, por të funksionojë e tillë dhe të hartohet një strategji për rritjen graduale të masës së kontributit dhe të pensionit, deri në kufijtë e skemës shtetërore. Në fund mund të them se Skemat Publike në një sistem pensionesh të përbërë, ku bën pjesë edhe legjislacioni shqiptar i pensioneve, ka dy misione: në radhë të parë, t’i garantojë brezit të pensionuar një nivel të pranueshëm të ardhurash, duke i mbuluar totalisht pensionet e tyre dhe së dyti, t’i afrojë brezit që do të dalë në pension, pjesëmarrës edhe në skemat e tjera të pensionit një nivel pensioni bazë që të garantojë në çdo rast minimumin jetik. Prandaj del shumë e domosdoshme, në mos imediate, zhvillimi edhe i sistemeve te alternuara të pensioneve. Nga dy modelet që aplikohen sot në botë mendojmë se më i përshtatshëm për kushtet e vendit tonë, me një popullsi të re dhe me shkallë shumë të ulët zëvendësimi(pagë-pension)do të ishte modeli vendosjes edhe të sistemit të detyruar privat, ku për momentin një pjesë e kontributit  3-5%, me pjesëmarrje të barabartë punëdhënës-punëmarrës mund të kalojë në administrim në këto skema.Burimi