Femrat dhe fushatat elektorale

Siç po duket fushata e zgjedhjeve parlamentare të vitit tjetër do të jetë shumë e egër. Gratë në Shqipëri normalisht e kanë të vështirë angazhimin në fushata elektorale dhe garimin në zgjedhje për arsyet e stër-thëna, le pastaj në një fushatë si ajo që pritet në zgjedhjet e 2013-s. Vështirësinë e shikoj në disa drejtime: së pari, sepse në politikë, meritokracia është e fundit që vlerësohet dhe merret në konsideratë, pra dhe gratë që do garojnë si kandidate nuk besoj që do jenë më të mirat (në drejtim të vlerave dhe profileve edukacionale dhe profesionale që përfaqësojnë), por ato që do duan të vënë në lista kryetarët e partive. Pra edhe ato gra që do përfundojnë në parlament do jenë më së shumti ca marioneta, biba apo “yes-women” që do ngrenë kartonin sa herë t’i urdhërojë kryetari i partisë. Së dyti, gratë e përfshira në politikë, e kam fjalën për kategorinë e atyre grave me integritet dhe vlera e principe, nuk mund të bëjnë pazare me kryetarët e partive për çështje zarfesh, postesh dhe përfitimesh post-elektorale. Dhe për pasojë s’mund të jenë të suksesshme në garim, sepse filozofia e fushatave elektorale në Shqipëri, fatkeqësisht edhe pas 22 vjetësh demokraci, bazohet në të tilla anti-vlera dhe mungese parimesh demokratike. Unë kam pasur rastin e eksperiencës së fushatave zgjedhore dhe në Shqiperi, edhe në Angli (kur isha anëtare e Partisë Konservatore Britanike) dhe arrita të përfshihem në listën kombëtare të kandidatëve konservatore për zgjedhjet parlamentare të 2010-s. Përzgjedhja ime, dhe jo caktimi, u bë përmes një procesi thellësisht demokratik dhe transparent. Ndaj nisur nga ky shembull mund të them se përpara se në Shqipëri të pretendohet të diskutohet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe teknikalitete të tjera që gjithashtu duhen respektuar, duhet të zgjidhet çështja e cilësisë së kandidatëve dhe mënyra e përzgjedhjes së tyre. Mungesa e aplikimit siç duhet të këtij komponenti shumë të rëndësishëm të zgjedhjeve, i konsideruar një nga gurët e themelit të demokracisë liberale dhe kriteri i parë i Kopenhagenit, mjafton që ta mbajë ende Shqipërinë larg hyrjes në BE. Burimi