Presidenti Nishani ndjek stërvitjen e përbashkët “Albanian Lion 2012”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka udhëtuar drejt Vlorës, ku ka ndjekur nga afër stërvitjen e përbashkët "Albanian Lion 2012" në det të hapur në Adriatik.Në këtë vizitë Komandanti i Task Grupit të Stërvitjes Commodore McAlpine u prezantoi të pranishmëve programin e stërvitjes dhe aftësitë luftarake të komandës britanike që përmbledh operacionet e Evakuimit jo-Luftarak, veprime të përbashkëta me Forcat e Armatosura shqiptare në ushtrime të sulmit detar, operacione kërkim - shpëtimi, ushtrime në zhytjen ushtarake, stërvitje e qitje luftarake me armë të lehta.Ndërsa presidenti Nishani në fjalën e tij tha se përfitimi më i madh që kjo stërvitje e përbashkët sjell, është ndërtimi e konsolidimi i marrëdhënieve të miqësisë e bashkëpunimit midis Forcave të Armatosura të dy vendeve.Stërvitja "Albanian Lion 12" zhvillohet nga Grupi i Detyrës i Forcave Reaguese i cili është një formacion i Marinës Mbretërore i mbështetur nga Forca Tokësore, dhe bën pjesë në kapacitetet që Britania e Madhe disponon si forca të reagimit të shpejtë në përgjigje të krizave që ndodhin jashtë territorit të Britanisë së Madhe.Kjo është stërvitja e katërt që forcat britanike zhvillojnë në Shqipëri dhe më e madhja që zhvillohet prej tyre vitet e fundit në rajonin e Mesdheut.