CEZ: Nuk do tolerojmë debitorët, policia të mos ushtrojë presion
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka reaguar pas deklaratës së institucioneve shqiptare se do të merren masa nëse CEZ do të vijojë me ndërprerjen e energjisë ndaj ujësjellësat.Në një deklaratë për shtyp, CEZ thekson se ka të drejta të plota ligjore për të shkëputur dhe ndërprerë furnizimin me energji elektrike të çdo debitori, qoftë person privat apo publik.“Shoqëria nuk do të tolerojë asnjë situatë ku debitorët mund të përdorin energji elektrike pa e paguar atë, duke dëmtuar interesat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe të klientëve që e paguajnë energjinë” thekson CEZ.Gjithashtu Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka kërkuar nga policia e shtetit të mos ushtrojë presion mbi punonjësit e kompanisë, të cilët janë duke kryer detyrat e tyre dhe duke shkëputur debitorët nga rrjeti i shpërndarjes.“Jemi informuar se Policia e Shtetit ka marrë një urdhër për të shoqëruar cilindo nga punonjësit tanë që është duke kryer detyrën dhe është duke shkëputur nga rrjeti i shpërndarjes ndërmarrjet e ujësjellësve. I kërkojmë policisë të japë sqarime dhe deklarata publike mbi ekzistencën e këtij urdhri, i cili është arbitrar, abuziv dhe në shkelje të plotë dhe të hapur të ligjit” thuhet në deklaratë.Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka theksuar më tej do të ndjekë të gjithë hapat dhe procedurat ligjore përkatëse duke denoncuar pranë autoriteteve kompetente çdo punonjës policie për shpërdorim dhe abuzim me detyrën dhe funksionin publik, duke penguar aktivitetin e shoqërisë dhe punonjësit tanë në kryerjen e detyrave të tyre.“Nëse veprimet arbitrare, abuzive dhe të jashtëligjshme të Policisë së Shtetit janë të organizuara dhe/ose të mbështetura nga autoritete dhe institucione të tjera publike të shtetit shqiptar, do t'i konsiderojmë këto veprime si një formë indirekte dhe e jashtëligjshme shpronësimi duke qenë se Policia e Shtetit ndërhyn në mënyrë të jashtëligjshme në aktivitetin e shpërndarjes dhe i shkakton një dëm të konsiderueshëm shoqërisë” thuhet më tej në deklaratën e CEZ-it.Në fund të deklaratës së tij, CEZ i fton të gjithë autoritetet dhe institucionet publike, përfshirë ERE, qeverinë dhe Policinë e Shtetit, të mbështesin veprimet e shoqërisë në shkëputjen e debitorëve, të cilët me mospagesën e përsëritur të faturave të energjisë elektrike kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes financiare të shoqërisë me pasoja të pallogaritshme për konsumatorët e ndershëm që paguajnë rregullisht faturat e tyre të energjisë.