Shoqata e Bankave: Aktivet e sistemit rriten 8,6%

Aktiviet e sistemit bankar arritën në fund të shtatorit 2012 në 1,189 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore rreth 8.6 për qind, ndërkohë që përgjatë tremujorit të tretë 2012 u rritën me rreth 2.7 për qind ose 18.4 miliardë lekë, bëri të ditur në një njoftim për shtyp Shoqata Shqiptare e Bankave.Depozitat e vendosura pranë bankave, në fund të tremujorit të tretë 2012, arritën në rreth 995 miliardë lekë, me një rritje prej 33 miliardë lekë përgjatë tremujorit dhe rreth 10.2 për qind në bazë vjetore. Rritja e stokut të depozitave u mbështet kryesisht nga rritja e depozitave të individëve që ka ruajtur një ritëm vjetor prej rreth 11 për qind në fund të shtatorit, duke qenë 2.8 për qind më të larta se në tremujorin e dytë të vitit 2012.Ndërkohë, në linjë me sjelljen e tyre sezonale, rritje kanë pasqyruar edhe depozitat e bizneseve të cilat vetëm gjatë tremujorit të tretë u shtuan me rreth 9.6 miliardë lekë ose 7.8 për qind më shumë se fund-qershori 2012. Teprica e kredisë së dhënë nga bankat për ekonominë u rrit përgjatë tremujorit të tretë me rreth 5.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 6.4 për qind. Vërehet se teprica e kredive për individë përgjatë tremujorit pati një rritje prej 1 për qind përkundrejt rënies përgjatë tremujorëve të mëparshëm. Në të njëjtën kohë fluksi i kredive të reja të akorduara nga bankat përgjatë tremujorit ishte rreth 59.2 miliardë lekë.Rreth 85 për qind e këtij fluksi shkoi drejt kreditimit të bizneseve; 43 për qind e kredive të reja të disbursuara ishin në monedhën vendase, 49 për qind në Euro dhe 8 për qind në Dollarë Amerikan. Kreditë me probleme në fund të tremujorit të tretë arritën në 22.7 për qind nga 21.1 për qind që ishin në fund të tremujorit të dytë 2012. Në fund të shtatorit 7 për qind të kredive llogariten të jenë kredi të humbura. Këta tregues reflektojnë vështirësitë me të cilat përballet biznesi në kushtet aktuale ekonomike por edhe vështirësitë e bankave në ekzekutimin e kolateraleve të huave bankare.Sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar me një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 15.9 për qind në fund të tremujorit të tretë, nga 15.7 për qind që ishte në fund të tremujorit të dytë. Në të njëjtën kohë, ecuria e mirë e depozitave konfirmon se ai ka likuiditet të bollshëm për të rritur rolin e tij si ndërmjetësues të fondeve në ekonomi.