Superliga humbet 5 vende në renditjen e UEFA-s, kryeson Bundesliga
Më keq se kaq do ishte vetëm përballja kokë më kokë me federata modeste si ajo e San Marinos, apo Andorrës. Në fakt, nuk jemi fort larg, pasi mes tyre dhe pozicionimit të kampionatit tonë na ndajnë vetëm katër vende. Bëhet fjalë për renditjen e UEFA-s referuar klubeve që morën pjesë sezonin që sapo u mbyll 2012- 2013 në Kupat e Europës Champions dhe Europa League.Kampionati shqiptar ka pësuar rënie nga viti i kaluar, nga vendi i 42-të në të 47-in. Një humbje cilësie e mëtejshme kjo, e cila lidhet edhe me rënien e fuqisë sportive të klubeve kryesore, që këtë edicion ishin në gjendje të mjerueshme. Tirana, Dinamo, Partizani, Vllaznia dhe Flamurtari, që janë edhe klubet më me emër, nuk janë asnjëra në kompeticionet europiane, çka tregon se ka rënie të cilësisë për sa kohë ka rënë rivaliteti. Në këtë vlerësim merren për bazë një sërë të dhënash, kryesisht performanca e ekipeve të një vendi në kompeticionet e mëdha si Champions dhe Europa League. Gjithashtu merret në konsideratë dhe koeficienti i "fair play"-it të një kampionati të caktuar dhe rivaliteti midis skuadrave pretendente. Kështu, falë dështimit të Skënderbeut në Champions dhe të Tiranës, Flamurtarit dhe Teutës në Europa League, kemi humbur pesë pozicione, duke u kaluar edhe nga federata si ajo malteze apo e Luksemburgut ndërsa kemi lënë pas vetëm disa mikroshtete si Litenshtejni, Andora dhe San Marino.Pas suksesit në Chempions Ligë, kampionatit Gjerman i janë rritur shumë vlerat. Finalja e Ligës së Kampionëve e cila u diskutua nga dy skuadra krejtësisht gjermane, ka bërë që Bundesliga të zërë vendin e parë në podium. Pas kampionatit gjerman renditet La Liga spanjolle e cila dërgoi dy ekipe deri në gjysëmfinale por që nuk arriti të rivalizojë më gjermanët. Një vend në podium i shkon edhe Premier Ligës, ku Çelsi me fitimin e Europa Ligë ka mbajtur në treshen më të mirë të kampionateve, fubollin anglez. Pas tre vendeve të para vijnë me radhë Seria A, kampionati portugez dhe Liga franceze që plotësojnë 6 vendet e para.