Super Neymar udhëheq Brazilin drejt fitores dhe gjysëmfinaleve

Ashtu si në ndeshjen e parë, Neimar ka qenë heroi i Brazilit edhe në përballjen ndaj Meksikës, duke u hakmarrë për humbjen në finalen e turneut të Lojërave Olimpike vetëm një vit më parë.Fitorja 2-0 e kombëtares së Seleçaos ndaj Meksikës ka bërë që skuadra e Brazilit të sigurojë një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Konfederatave edhe pse kanë mbetur edhe takimet e fundit për tu luajtur.Talenti brazilian i futbollit, Neimar ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë takim, pasi ka treguar që edhe pse është i ri mund të mbajë mbi supe fatet e 5-herë kampionëve të botës. Ylli i ri i katalanasve arriti të gjente golin e avantazhit me fanellën e Selesaos në këtë takim që në minutën e 9-të të ndeshjes, me një gjuajtje fluturimthi që u ndal vetëm pas krahëve të portierit meksikan. Me avantazhin e shpejtë, të besuarit e teknikut Skolari kontrollojnë të qetë lojën, ndërsa Neimar vazhdon të dhurojë spektakël për të pranishmit me driblimet e tij gjatë gjithë lojës. Ashtu si pjesa e parë edhe fraksioni i dytë i lojës flet krejtësisht për Brazilin, i cili kërkon me çdo kusht fitimin e këtij trofeu përballë publikut vendas.Loja e spektakolare e talentit Neymar konkretizohet me një driblim fantastik në minutat shtesë ku jep edhe asistin e golit të dytë dhe të fundit për Brazilin. Pas një kalimi fantastik në zone, ylli brazilian pason për sulmuesin Xho, i cili me portën e boshatisuar nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë, duke vulosur rezultatin e këtij takimi në 2-0. Me këtë fitore Brazili grumbullon 6 pikë dhe arrinë të sigurojë kalimin e grupit pavarsisht se ndeshjen e fundit do ta ketë kundër Italisë. Me dy fitore radhazi pa pësuar gol, ekipi i trajnerit Skolari po tregon se është në rrugën e duhur për botërorin e ardhshëm.