Monaco gati 60 milion euro për El Shaarawin dhe Boateng

Monako vazhdon të mahnisë të gjithë në këtë merkato verore.Pasi ka kaluar shifrën e 100 milion eurove të shpenzuara deri tani, manjati rus i klubit të Principatës kërkon që të bëjë edhe goditje të tjera të mëdha. Stefan El Sharaui dhe Kevin Prins Boateng, nga sezoni i ardhshëm mund të veshin fanellën e Monakos, një skuadër e cila po afron gjithmonë lojtarë shumë cilësorë. Drejtuesit e klubit francez kanë bërë një ofertë të cilën Milani vështirë se do ta refuzojë, pasi kanë vënë përpara drejtuesve kuqezinj plot 60 milion euro për të dy futbollistët.Milani është gati të shesë futbollistët, duke ndjekur të njëjtën ide me vitin e kaluar kur largoi Tiago Silva dhe Ibrahimoviç, ndaj edhe El Sharaui e Boateng mund të sakrifikohen për të mbushur arkat e klubit e për ti përdorur ato pastaj për të marrë lojtarë të tjerë të rinj të talentuar. Për më tepër, Monako ka shprehur pëlqimin edhe për Niang, duke bërë të qartë se është gati të bëjë një ofertë të rëndësishme edhe për francezin në ditët në vazhdim.Kuptohet që për të realizuar një transferim të tillë duhet marrë edhe pëlqimi i lojtarëve, ndaj Milan ka autorizuar Monakon të fillojë bisedimet me përfaqësuesit e tyre për të arritur një akord të kënaqshëm ekonomik.Me këto para, Milani do të sigurojë fillimisht blerjen e Tevez nga Mançester Siti si dhe Diamanti nga Bolonja, për të ndërtuar ekipin e ardhshëm përreth këtij rreshtimi të ri me dy sulmues e një fantazist pas krahëve të tyre. Orët e ardhëshme të merkatos pritet të zyrtarizojnë gjithëçka rreth kësaj telenovele që ka nisur tashmë.