“Rama po favorizon krimin”, Alibeaj në PE: Nismat favorizojnë korrupsionin dhe pastrimin e parave

Demokratët vënë në dijeni Parlamentin Europian, për tre nismat e dyshimta të qeverisë Rama, që kanë të bëjnë me Pasaportat e Arta, Amnistia Fiskale dhe Projekti i Portit të Durrësit. Kreu i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj, deklaroi se tri iniciativat e fundit të ndërmarra nga qeveria, favorizojnë krimin, korrupsionin si edhe pastrimin e parave. Nga ana tjetër, Alibeaj tha se pavarësisht se SPAK-u ka arrestuar disa zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar, numri i të dënuarve nga radhët e tyre mbetet ende i ulët.

Partia Demokratike denoncon në Parlamentin Evropian, nismat e ndërmarra së fundmi nga qeveria “Rama”.

Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në fjalën e tij në PE, ka thënë se tri iniciativat e fundit të qeverisë: Pasaporta e Artë, Amnistia Fiskale dhe Projekti i Portit të Durrësit, paraqesin rreziqe, përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar, dhe do të ishin të papajtueshme me BE-në.

Për sa i përket Pasaportës së Artë, raporti i fundit përcakton se Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të shtetësisë së investitorëve (pasaportat e arta), pasi kjo do të përbënte rreziqe përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar, dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis të BE-së.

Në lidhje me Amnistinë Fiskale, raporti thekson se miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave.

Gjithashtu nisma e fundit e Portit të Durrësit, tregon se projekti Marina Bay and Yacht, fsheh shumë mundësi për pastrim parash, është një skemë potenciale Ponzi, është një shkelje e MSA-së dhe së fundi, fsheh një mundësi për Pasaportat e Artë.

Po ashtu Kreu i grupit të PD-së, ka deklaruar se raporti i Komisionit Europian tregon se në luftën kundër krimit të organizuar, kërkohet ende një vullnet i qartë politik.

Enkelejd Alibeaj përmendi se raportet e fundit ndërkombëtare, por edhe në raportet e Prokurorisë së Posaçme, grupet kriminale shqiptare po bëhen gjithmonë e më të rrezikshme dhe po e rrisin aktivitetin e tyre.

Nga ana tjetër, Alibeaj deklaroi, se pavarësisht se SPAK ka arrestuar disa zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar, numri i të dënuarve nga radhët e tyre mbetet ende i ulët.

Ashtu sikurse progres raporti, Alibeaj theksoi se krimi i organizuar, mbetet ende një problematikë për Shqipërinë dhe kërkon vullnetin e të gjitha institucioneve, për të parandaluar veprimtaritë e tij kriminale.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.