Xhaçka sot në Athinë për çështjen e detit, Dendias kërkon marrëveshjen e Tiranës për referimin e Hagës

Ministri i Jashtëm i  Greqisë, Nikos Dendias po sheh mundësinë e firmosjes së një marrëveshjeje që do ti referohet përcaktimit të zonave ekskluzive ekonomike të Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë gjatë një takimi në Athinë me homologen e tij Olta Xhaçka, shkruan sot Ekathimerini.

Rezultati i këtij takimi sot do të përcaktojë në një masë të madhe rezultatin e vizitës së javës së ardhshme në Shqipëri të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ku pritet të takohet me homologun e tij shqiptar Edi Rama. Në takimet e tyre të mëparshme, lideri shqiptar ra dakord për nevojën për të ecur përpara me marrëveshjen. Megjithatë, asnjë takim në nivel teknik nuk ka ndodhur për të çuar më tej marrëveshjen.

"Një pengesë qendrore në lidhje me demarkacionin është ndikimi i ishujve Ereikousa dhe Othona" shkruan Ekathimerini.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Më 20 tetor 2020 Shqipëria dhe Greqia ranë dakort që zgjidhja e çështjes së kufijve detarë dhe përcaktimit të Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, t’i besohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka konfirmoi dje vizitën e ministres Xhaçka  me ftesë të homologut të saj, Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

"Bisedimet dypalëshe do të zhvillohen rreth orës 08:00, ndërsa dy ministrat e Jashtëm janë parashikuar të kenë edhe një takim kokë më kokë. Bisedimet pritet të fokusohen në marrëdhëniet shqiptaro- greke në të gjitha fushat, si dhe në çështjet me interes në evropë dhe rajon, duke përfshirë zhvillimet në Ukrainë pas pushtimit rus, situatën në Mesdheun Lindor dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor" thuhej në njoftimin për shtyp të djeshëm.

Të premten pasdite ministrja Xhaçka do të udhëtojë drejt Italisë për të qenë pjesë e Dialogut të Dytë Mesdhetar për krizën ushqimore, e ftuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

Për shumë vite, çështja e kufijve detarë mes dy vendeve ka mbetur pa zgjidhje, që kur marrëveshja e arritur në vitin 2009 mes qeverive të atëhershme të të dy vendeve, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, e cila e cilësoi atë në shkelje të kushtetutës dhe normave ndërkombëtare që rregullojnë çështjet e detit.