“Ne nuk do të qëndrojmë pasiv”, Zhulali: Rama i shqetësuar për protestën e 6 dhjetorit

Për herë të parë pas 27 vitesh presidenti gjerman vizitoi Shqipërinë. A është ky një shtim i vëmendjes i BE jo vetëm për Shqipërinë por për gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor?

Ilda Zhulali drejtuese e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD foli rreth kësaj vizite, samitit që do të zhvillohet më datë 6 dhjetor si dhe protestës që pritet të mbahet në po të njëjtën ditë nga opozita.

Sipas Zhulalit vizita nuk kupton një mbështejtje pa kushte, nënkupton  një mbështetje për Shqipërinë por duke theksuar se duhet të bëjë detyrat e saj.

Ilda Zhulali: Është vizita e dytë që një president gjerman zhvillon në Shqipëri që nga vendosja e demokracisë. Vizita e parë është zhvilluar më 1995. Tregon që Gjermania vazhdon të jetë një mbështetëse e Shqipërisë, një mbështetëse e fuqishme në rrugën tonë drejt BE. Gjermania ka qenë gjithmonë bujare me Shqipërinë dhe një mbështetëse e vërtetë. Vizita nuk kupton një mbështetje pa kushte, nënkupton  një mbështetje për Shqipërinë por duke theksuar se duhet të bëjë detyrat e saj.

Ajo thotë se mesazhi i dhënë prej tij është i njëjti me atë që do të jepet në samitin që do të zhvillohet me datë 6 dhjetor në Tiranë.

Ilda Zhulali: Ishte për të dhënë mesazhin që Gjermania si një nga vendet kyçe të BE e konsideron parësore zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane.  Ky është dhe mesazhi që do të jepet me datë 6 në samitin që do të zhvillohet në Shqipëri. Të gjithë qytetarët e presin me padurim ardhjen e krerëve të BE në Shqipëri, ata janë të mirëseardhur por, ne nuk do të qëndrojmë pasiv për të qenë thjesht spektator të mesazheve të tyre pasi fundja fundit ne jemi pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në jetën e vendit dhe kemi përgjegjësitë tona si qytetarë.

Sa i përket protestës Zhulali thotë se “I vetmi aktor i shqetësuar për këtë protestë është Edi Rama".

Ilda Zhulali: I vetmi aktor i shqetësuar për këtë protestë është Edi Rama. Është një fakt që flet shumë. Nga BE ne kemi marrë një sinjal të qartë që ka thënë që e drejta e protestës duhet respektuar. Rama nuk është zëdhënës i BE, më në fund shqiptarët po shikojnë një kryeministër që shqetësohet nga protestat pasi deri më tani kemi parë një kryeministër indiferent të pashqetësuar dhe që përpiqet me çdo mënyrë ti mbysë protestat dhe ky është lajm i mirë për qytetarët shqiptarë.

Pse shqetësohet Rama?

Ilda Zhulali: Nuk është i shqetësuar për shkak të protokolleve të sigurisë pasi kjo është një protestë paqësore. Me atë ai përpiqet të mbulojë të vërtetën. E vërteta është që agjenda e opozitës është një agjendë që përputhet plotësisht me atë të BE. Qytetarët shqiptarë do ti tregojnë BE dhe Ramës se cila është e vërteta e tyre. Do të jetë një protestë për ti thënë Europës ne jemi këtu na shiko dhe na dëgjo.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.