"Nuk dorëzojmë flamurin!" Berisha: Nëse Rama do të na asgjesojë dhe ne do ta asgjesojmë!
Teksa po i afrohemi zgjedhjeve vendore, Partia Demokratike nuk e ka zgjidhur ende procesin e saj gjyqësor mbi siglën dhe vulën e partisë.
Kreu i demokratëve Sali Berisha duke folur në një takim me banorët e njësisë 1 dhe 3 në Tiranë akuzoi kryeministrin Rama se po mban pezull PD me gjykata.
Por ai pati një paralajmërim të qartë ndaj tij se demokratët nuk e lëshojnë flamurin dhe janë të gatshëm të sakrifikohen për të.
Berisha: Ne nuk kemi asnjë probem me gjykatën, gjykata ka vendosur. Ka vërtetuar Kuvendin e 11 dhjetorit, ka miratuar statutin, procesverbalin dhe procedurat e atij kuvendi. Jashtë këtij vendimi gjithçka tjetër ka vetëm një emër dhe ky quhet Edi Rama.
Kjo është një çështje për ekzistencën ose jo të PD, për jetën ose vdekjen e saj. Edi Rama do me çdo kusht që flamurin tonë, flamurin që përmbysi diktaturën komuniste, transformoi Shqipërinë t'ja japë një vegle 2% dhe të asgjesojë PD në një akt të verbër hakmarrje. Ne jemi këtu. Unë nuk jam dakord të dorëzojmë flamurin, jam dakord të bëjmë çdo betejë për të mbrojtur flamurin tonë.
Nëse ai kërkon, siç po bën, të na asgjesojë dhe ne do të bëjmë gjithçka ta asgjesojmë. Çdo demokrat duhet të jetë i përgatitur, Sali Berisha nuk është në mënyrë absolute i prirur të dorëzojë flamurin e PD. Jo. Mos ta marrin fare problem me gjykatat. Gjykata ka vendosur. Edi Rama e ka urdhëruar që të mos regjistrohet në regjistrin.
Është akti më formal. E bën për të na zhdukur ne. E ka shndërruar votën në fiktive. Votoni si të doni, por rezultatin e nxjerr unë si të dua. Ne vijmë këtu, tek ekzistenca jonë. A duhet të ekzistojmë? Kemi 1000 arsye të ekzistojmë. Ata të cilët u përpoqën, shqiptarë apo joshqiptarë, ata janë antidemokratë, mafie, nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e lirisë.
PD, është shtyllë kryesore e pluralizimit politik në Shqipëri.Ka përmbysur komunizmin, misioni absolut i saj është përmbysja e monizmit të Edi Ramës, nuk ka forcë të na ndalojë në këtë. Ata që mendojnë se duke marrë flamurin…flamurin s’ja dorëzojmë njeriu. Ai që do këtë, të përgatitet për betejë, si të dojë.
E di që me mijëra e mijëra demokratë që janë dakord me mua dhe janë të vendosur të sakrifikojnë për flamurin e tyre.Ne kemi punë me Edi Ramën, jo me gjykatën. Edi Rama kërkon ti marrë flamurin PD por do mjerohet për këtë, e garantoj. Ne do qëndrojmë për të mbrojtur pluralizmin politik në Shqipëri.
Berisha tha se nuk ka rrugë tjetër veç largimit të Ramës.
Berisha: Ky ka një taktikë. Bën një skandal, pastaj një të dytë që të dalë nga e para. Nuk ka rrugë përveç largimit të tij. Në mënyrë absolutë ky me votë nuk largohet. Largohet me protesta të fuqishme popullore. Nuk lëvizim nga kjo linjë. Çfarë do bëhet me votën?
Ky është armik i votës. Mos mendojë kush se ai ndryshon. Me keqësinë e tij psikologjike, është në çdo moment i aftë të kryejë çdo ligësi. Përveç kësaj, Edi Rama ka firmosur në aferën e inceneratorëve. Një vepër madhore penale.
Ka firmosur kontratën për të cilën, institucioni shtetëror i specializuar në atë fushë, që për negociatat e mbllura nuk ekzistojë. Ai e bën vetëm për veten e tij. Do të mbushë valixhet e tij me dhjetra milionë euro. E ka bërë këtë. Ky për këtë ka të paktën 30 vjet burg. Mos të flasim për një sërë dosjesh të tjera.
