Përplasja për 6 dhjetorin/ Berisha: Nuk e lëshojmë bulevardin! Rama: Masat e sigurisë të panegociueshme!
Kryeministri Rama deklaron se masat për bllokimin e bulevardit "Dëshmorët e Kombit" me 6 janar u vendosën në Bruksel dhe janë të panegociueshme. Por megjithatë, Sali Berisha, nuk tërhiqet nga protesta para zyrës së kryeministrit. Edhe pse drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit thirri një përfaqësi demokratësh, Berisha tha se protesta do të jetë në duart e qytetarëve.
Sali Berisha thotë se nuk do të tërhiqet nga plani për të protestuar poshtë zyrës së Edi Ramës në ditën kur në Tiranë do të mblidhen liderët europianë dhe ata të Ballkanit.
Por mënyrën për të thyer planin e masave të sigurisë në 16 nivele të samtit të 6 dhjetor do tua lërë në dorë organizatorëve dhe qytetarëve.
Berisha: Ne bulevardin nuk e lëshojmë!
Edi Rama u bëri të qartë demokratëve se me 6 dhjetor bulevardin nuk ua bllokon qeveria por protokolli.
Rama: Masat e sigurisë nuk negociohen me askënd, janë të vendosura nga vetë Këshilli Europian, që kudo ka akvitete ka masa standarde, forcat tona punojnë me organizatorët e samitit që janë në fakt në KE prej shumë kohësh për masat e sigurisë. Ndaj nuk janë cështje opinionesh janë masa të rrepta, aq më tepër kur këtu do vijnë liderë të BE, ku pa diskutim për ta ka masa ekstreme sigurie.
Berisha e quan të drejtë qytetare protestën.
Berisha: Madhështore, madhështore! Jo, liderët europianë nuk janë si Edi Rama. Liderët europianë janë liderë të zgjedhur me votën e lire të qytetarëve të tyre, dhe ata e dinë se nga vota e lire buron shteti ligjor, burojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
E ndërsa kreu i demokratëve nuk tërhiqet, kryeministri është i bindur se askush nuk mund të marrë peng një Samit të përmasave të tilla.
Rama: Këto historitë e 1912 që vijojnë e tirren, nuk i shmangim dot, por nuk e marrin dot as Shqipërinë e aq më pak këtë samit. Këtu hyjnë në fushë siguria e samitit dhe garantimi i masave për të gjithë liderët. Nuk shoh lidhje me Mujin dhe Halilin.
Përtej deklaratave politike, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit thirri të enjten në zyrë dy përfaqësues nga PD, Ervin Minarollin dhe Çlirim Gjatën, të cilëve u paraqiti argumentet pse opozita nuk lejohet të protestojnë brenda perimetrit të sigurisë.
Edhe ata, ashtu si lideri i demokratëve këmbëngulën në zhvillimine tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

