Qëlloi me armë brenda selisë blu, gjykata nxjerr nga qelia mbështetësin e Rithemelimit të PD Kurbin

Gjykata nxori nga qelia dhe vendosi hetim në gjendje të lirë për Van Ricën, anëtarin e Partisë Demokratike që qëlloi me armë Brenda selisë Blu në Kurbin pas një debati për procesin e primareve.

Van Rica, anëtari i Partisë Demokratike që qëlloi me pistoletë në zyrat e Selisë Blu në Kurbin pas debateve në një mbledhje do të hetohet në gjendje të lirë.

Gjyqtari Olti Skrame nxori nga qelia e paraburgimit 53-vjeçarin e arrestuar disa orë pas ngjarjes dhe caktoi për të masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Prokurorja Matilda Fetahu, kishte kërkuar 45 ditë burg për Ricën për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, "Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Por gjyqtari Olti Skrame, vendosi që ta lirojë 53-vjeçarin, me argumentin se armen e kishte pasur me leje, duke qenë se ishte përgjegjës i një policie private.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës  gjatë një takimi të grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike në Kurbin për procesin e primareve.

Burime thonë se Van Rica i cili mbështeste kandidatin Edmond Shkoza kishte kërkuar anëtarësimin e disa simpatizantëve.

Kërkesa u kundërshtua nga nënkryetari i degës së Partisë Demokratike Kastriot Marku me pretendimin se kishte përfunduar afati i anëtarësimeve.

Në debat e sipër Van Rica ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në korridoret e zyrave të Partisë Demokratike. Fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.