Rama për Ballën: Kush ka prova t’i nxjerrë! Të njëjtin qëndrim mbajti me Tahirin, Bllakon dhe Kokën
Kryeministri Edi Rama sfidon këdo që ka prova për përfshirjen e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballës në veprimtari kriminale t'i nxjerrë ato. Për këtë çështje, Rama u shpreh se nuk merret me spekulime, duke mbajtur të njëjtin qëndrim ashtu si dhe me socialistët e tjerë, disa prej të cilëve tashmë ndodhen prapa hekurave.
Kryeministri, Edi Rama, ka komentuar këtë të enjte, 1 dhjetor 2022, për herë të parë akuzat ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili ka dalë në përgjimet e grupit kriminal të Elbasanit.
Për këtë Rama nga shkallët e Kryeministri ftoi këdo që ka prova për këto akuza ti çojë para organeve të drejtësisë.
Rama: Unë i besoj fakteve dhe nuk merrem me spekulime. I ruhem shumë gjysmë të vërtetave se ato janë gënjeshtrat më të mëdha. Nëse kanë fakte akuzatorët t’i sjellin sepse ata janë të detyruar që nga koha e Romës.
Në fakt, ajo që ra në sy në këtë përgjigje të kreut të qeverisë, është qëndrimi konstant që ka mbajtur më herët edhe me deputetët e tjerë socialistë, disa prej të cilëve janë dënuar nga drejtësia.
Rasti i ish-ministrit Brendshëm, Saimir Tahirit, i cili është dënuar me burg për shpërdorim detyre, është një prej tyre, për të cilin Rama ashtu si me Ballën, edhe në këtë rast ftoi këdo që kishte prova ti drejtohej drejtësisë.
E njëjta gjë ndodhi me deputetin socialist Alqi Bllakon dhe ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, të cilët vijojnë të përballen me ligjin, lidhur me aferën e incineratorëve, ku Rama tha disa herë se nuk bazohet në spekulime po në prova.
Nëse këto akuza do të konkretizohen në vijim, Taulant Balla, ashtu si kolegët e tij, do të përballet presonalisht me ligjin, pasi sipas Edi Ramës, askush nuk do të jetë nën mburojen e Partisë Socialiste kur bëhet fjalë për çështje të forta.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
