Ish-truproja i Saimir Tahirit në gjyq, mohon akuzat: S'kam asnjë lidhje, kanë abuzuar me emrin tim
Ish-truproja i Saimir Tahirit, Hekuran Marku, do të gjykohet nga Gjykata e Posaçme me akuzën e trafikut të drogës në formën e grupit kriminal. Gjykata e kaloi çështjen në shqyrtim, ndërsa vetë i pandehuri mohoi akuzat duke thënë se nuk ka lidhje me krimet. Ai është arrestuar në kuadër të dosjes "Shpirti", ku për të pandehurit SPAK më herët ka kërkuar 128 vite burg.
Gjykata e Posaçme kaloi në shqyrtim dosjen në ngarkim të Hekuran Markut, ish-truprojës së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
GJKKO ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar për Markun, ndërsa më 12 shtator, Prokuroria e Posaçme do të paraqesë konkluzionet ku do të kërkojë dënimin e tij.
Vetë Marku i pranishëm në seancë ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave.
"Nuk kam asnjë lidhje me çfarë më akuzon Prokuroria e Posaçme. Kanë qenë të tjerë persona që kanë abuzuar me emrin tim", i tha Marku togave të zeza të GJKKO-së.
128 vite burg ka kërkuar më herët SPAK për 8-të nga 35 të arrestuarit e operacionit të koduar “Shpirti”, ndërsa grupi akuzohet për “grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".
Aktiviteti i tyre zhvillohej në Shqipëri dhe në kontakt e bashkëpunim me organizatat kriminale italiane, ku kanë trafikuar sasi të konsiderueshme lënde narkotike në Itali e më pas në vende të tjera europiane.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan edhe dy ish-truprojat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Hekuran Marku dhe Agustin Deda, ndërsa gjykimi për Markun u veçua, pasi u arrestua më vonë nga të tjerët, teksa është ekstraduar vetëm disa muaj më parë.
Operacion lidhej me valën e kultivimit dhe trafikimit masiv të kanabisit në Shqipëri para zgjedhjeve të vitit 2017, ndërsa nxori zbuluar implikimin e mjaft segmenteve të Policisë së Shtetit në aktivitetin kriminal të kultivimit dhe tregtimit të drogës.
