Të pastrehë nën diellin përvëlues/ U nxorrën nga shtëpia e oficerëve, 6 familje në Vlorë jetojnë në rrugë
Të shtrirë në mes të rrugës dhe pa një strehë ku të fusin kokën. Kjo është situata e banorëve tek ish-shtëpia e oficerëve të cilët u nxorrën para një muaj nga banesa për shkak se do fillonin punimet për rikonstruksionin total të saj. Por tanimë ata janë të paqartë se çfarë do të bëhet me ta pasi shtëpitë ku kanë qenë do të bëhen zyra për kadastër.
Kanë marrë rrobat dhe janë vendosur nëpër trotuare të qytetit të Vlorës.
Nën temepratura ekstreme 6 familje të komunitetit rom po e kalojnë në rrugë këtë verë.
Ata jetonin në ish-shtëpinë e Oficerëve, ndërsa janë nxjerrë jashtë për shkak se ajo po rikonstruktohet nga Bashkia.
"Një dhomë të na japin. Djali ka 5 fëmijë. Pa punë është, del te kazanët e plehrave. Kemi një muaj e gjysmë aty, flemë rrugëve. Na nxorrën nga aty," thotë një qytetare rome.
Për momentin po flemë përjashta, me një plakë të sëmurë," thotë një djalë nga komuniteti rom.
Të mbetur mes 4 rrugësh, gishtin e drejtojnë nga bashkia.
"Bashkia erdhi para një muaj dhe tha: Për dy ditë do t'ju rregullojmë. Asnjë gjë!" tha ajo.
"Ka ardhur një urdhër nga bashkia që të nxjerrin të gjithë familjarët në rrugë, kështu që detyrohemi të rrimë në rrugë. Kemi rreth një muaj në rrugë," thotë ai.
"Në rrugë nuk jetohet. Shkojmë në bashki dhe na thonë gjeni shtëpi me bonus që tua paguajmë ne. I bëjmë të gjitha dokumntat që duhen dhe pastaj thonë s'ka lekë bashkia," thotë një tjetër qytetare rome.
Thonë se nuk u kanë dhënë asnjë shpresë për të ardhmen e tyre.
"Për momentin asgjë. Jemi paraqitur dhe në bashki, na kanë përcjellur me fjalë të bukura: Ja sot, ja nesër, ja pasnesër," thotë ai.
Godina e shtëpisë së oficerave në Vlorë prej një muaj po i nënshtrohet një rikonstruksioni total të saj për tu shndërruar në zyrën e re kadastrale në qytet, ndërsa ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me këto familje, të cilën marrin një bonus qiraje prej 9000 lekësh, që sipas tyre nuk u mjafton për të gjetur një shtëpi për të jetuar normalisht.
