Gjermani i akuzuar për trafik droge shkon në Durrës për të rregulluar dhëmbët, kapet në Shkodër

Një shtetas i akuzuar për trafik droge me origjinë nga Kazakistani dhe me shtetësi gjermane, është arrestuar nga policia e Shkodrës, në përpjekje për të dalë nga territori shqiptar. Në momentin e arrestimit i riu u ka treguar policëve se në Shqipëri kishte mbërritur 3 muaj më parë, dhe se vizita e tij kishte si qëllim rregullimin e dhëmbëve.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe para Gjykatës së Shkodrës, ku ka dalë dhe është njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 40 ditor.

Adam Kohl, ka treguar para grupit të hetimit se kishte zbritur në aeroportin e Rinasit dhe mandej ishte vendosur në një shtëpi me qera në qytetin e Durrësit. Qëllimi sipas tij, ka qënë të gjente klinikën dentare për të rregulluar dhëmbët, pasi në Gjermani kishte dëgjuar se në Shqipëri shërbimi dentar ishte i lirë.

Siç thuhet në dosjen e policisë, 32-vjeçari Adam Kohl, është ndaluar në pikën kufitare të Muriqanit, pasi nga verifikimet në sistemin TIMS ai rezultonte, si person me kartelë të kuqe. Kjo pasi Gjykata Lokale e Keptenit në Gjermani, ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit “arrest në burg” për “trafik dhe tregti droge”.

 Masa është vendosur në datën 27 prill 2022, ndërsa Adam Kohl, rezulton të ketë hyrë në territorin Shqiptar, përmes Rinasit në datën 24 prill 2022.

Pra tre ditë, pasi ai ishte larguar nga Gjermania dhe vendosur në Shqipëri, raporton Ora News. 

Adam Kohl, ka treguar se gjatë qëndrimit në qytetin e Durrësit nuk ka mundur të rregullojë dhëmbët, pasi e kishte të pamundur gjetjen e adresës së klinikës dentare. Në këto kushte, ai ka vendosur të largohet nga Shqipëria, jo përmes aeroportit të Rinasit, por përmes pikës së kalimit kufitar në Muriqan.

Pikërisht në këtë pikë kufitare gjermani është arrestuar nga policia Shqiptare, pasi ndaj tij ishte vendosur një shënim i kuq për arrestimin e menjëhershëm.

Tashmë Adam Kohl, ndodhet në burgun e Reçit në masën e sigurisë “arrest në burg” 40 ditor. Ndërsa gjykata dhe prokuroria janë në pritje të mbërritjes së letërporosisë për ekstradimin e këtij personi në Gjermani.