Veliaj sfidon Ramën. Kryebashkiaku mbërriti i fundit në ceremoninë në presidencë
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj kryen një tjetër akt sfidues ndaj Kryeministrit Edi Rama. Gjesti i kryetarit të bashkisë së Tiranës nuk ka kaluar pa u vënë re dhe pa u komentuar prej të pranishmëve të shumtë të ftuar në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së presidentit nga Ilir Meta tek Bajram Bagaj.
Ndërsa të gjithë të ftuarit, drejtues të institucioneve më të rëndësishme të vendit si Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha e me rradhë drejtuesit e Gjykatës së Lartë, të SPAK-u, Prokurori i Përgjithshëm, ish Presidentët e Republikës, ministra, deputetë, drejtues të komuniteteve fetare, përfaqësues të medias, ambasadorë etj. kishin zënë vendet e prisnin nisjen e ceremonisë me djaljen e presidentëve, të Metës në largim dhe të Begajt që mori detyrën, mbërriti i fundit në zonën para selisë së Presidentit edhe Kryeministri Rama me bashkëshorten e tij.
Mbërritja e Ramës ishte edhe “sinjali” se më në fund ceremonia do të niste, pasi të ftuarit që kishim mbërritur aty që rreth orës 19:00 mezi po i shtynin minutat nën temperaturën e lartë verës.
Mirëpo, pikërisht në këtë moment aty mbërriti edhe një tjetër person, ai që dëshiron të duket më i rëndësishmi, që zakonisht vjen i fundit fare dhe që për herë të parë që prej kur bëhen ceremoni të tilla nuk ishte kryeministri Rama, por vetë kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dora vetë.
Padyshim që asgjë nuk qe e rastësishme. Mesazhi duket se ka qenë i qartë për të gjithë të pranishmit, për ndërkombëtarët, por madje edhe për vetë Edi Ramën, “Këtu më i rëndësishmi jam unë. Hijerēndë, serioz dhe sfidant, i ardhuri i fundit edhe pas vetë kryeministrit, vetë Erion Veliaj, alias Lali Eri madje si për të dëshmuar që etika dhe mirësjellja nuk janë të rëndësishme për të nuk dënjoi as të heqë syzet e diellit.
Edhe pse dielli ishte në të perënduar, si për ta bërë edhe më të dukshme distancën e tij nga gjithë të pranishmit, edhe nga vetë Edi Rama që e gjeti veten të ulur ndërsa priste të vinte ai që po sillet si Kryeministri i ardhshëm, Erion Veliaj dora vetë.
Mbërritja me vonesë në ceremoni për shkak të ngarkesës apo rrethanave, duket e pamundur për një kryebashkiak, qoftë edhe në kryeqytet, në kushtet kur titullarëmë të rëndësishëm respektuan orarin e protokollit.
Megjithë rëndësinë që u përpoq ti japë vetes edhe kësaj radhe, karrigia e lirë që e priste kryebashkiakun e Tiranës ishte në qoshen e rreshtit të dytë, aty ku ishin ulur krerët e KLGJ, KLP dhe organeve të tjera të drejtësisë.





