Shkarkimi, Berisha: Rama i hapi rrugë Arben Ahmetajt të arratiset. Rama koka e aferës së incineratorëve
Kryetari i PD-së Sali Berisha doli në një deklaratë për median për të komentuar vendimin e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e Arben Ahmetaj nga posti i zv/kryeministrit dhe zëvendësimin me Belinda Ballukun.
Berisha tha sot se Rama shkarkoi Ahmetajn për ti hapur rrugë arratisjes së tij.
“Me shkarkimin e Arben Ahmetajt të cilin e falenderoi për bashkëvjedhjen që kanë bërë i krijoi mundësi që të arratiset nga Shqipëria."
Berisha tha se Ahmetaj është një nga eksponentët kryesorë të mafies por kreu i kësaj afere është Edi Rama.
"Edi Rama, për të larë duart me krimin e tij të shëmtuar, aferën ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, aferën e djegësave, ka shkarkuar Arben Ahmetajn. Me këtë rast, unë duke e konsideruar Ahmetajn një nga eksponentët kryesorë të mafies së djegësve, shtoj se kreu i kësaj afere është një dhe vetëm një. Ky është Edvin Rama. Në aferën e incineratorëve ai ka firmosur siç ka pohuar vetë, në kundërshtim me ligjin. Arben Ahmetaj sot u shkarkua vetëm me një qëllim të shpëtojë lëkurën e Edi Ramës."
Berisha paralajmëron Ahmetajn të mos marrë mundimin sepse edhe po të shkojë prapa diellit nuk ka shpëtim për të.
"Arben Ahmetaj në vitin 2005 është arratisur për disa vite në Rumani ku kërkonte azil politik, tani e liron nga detyra vetëm të largohet. Me këtë rast unë i them Edi Ramës se edhe në ato satelitët që po porositë të shkojë në mënyrë absolute do të bëhet shumë shpejt përgjegjës për aferën dhe aferat e tjera. Ai është kryeministri më hajdut i 110 viteve të fundit në Shqipëri. Kryeministri më hajdut në Europë. Mund ti bësh presion t’ia mbyllësh gojën SPAK por popullin nuk do të mundesh kurrë ta trysnosh. E njëjta gjë dhe për Arben Ahmetaj. Shko ku të duash edhe prapa diellit por nuk ke shpëtim ma. Ndaj mos merr mundimin të largohesh se do të rëndohesh shumë”
Berisha komentoi dhe zëvendësimin që bëri me Belinda Ballukun.
“Arben Ahmetaj një nga ministrat më të korruptuar në qeverinë shqiptare po e zëvendëson ministrja më e korruptuar. Ajo ka një meritë të vetme, ndarjen e parave të vjedhura me Edi Ramën, që kur unonte në bashki e gjer sot. Ikën një superhajdut dhe kthehet Miss Hajnia."
Berisha thotë se Rama po kërkon të lajë duart me incineratorët por nuk do të mund të shpëtojë.

