Arrestimi “i paligjshëm”, Apeli lehtëson masën për 4 policët e akuzuar për drogën në Velipojë

Gjykata e Apelit në Shkodër e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e katër efektivëve të Policisë të arrestuar për favorizim të kultivimit të bimëve narkotike në Velipojë. Hetimi ndaj tyre do të vijojë në gjendje të lirë.

Gjykata e Apelit ka lehtësuar përballjen me drejtësinë për 4 punonjësit e Postës së Policisë Velipojë të arrestuar një muaj më parë për favorizim të kultivimit të bimëve narkotike.

Togat e zeza me kryegjyqtar Fuat Vjerdha, e cilësuan të paligjshëm arrestimin e efektivëve të policisë Zamir Sytari, Arben Hoxha, Ergys Lohja e Hysni Beqiri.

Në të njejtën seancë, u rrëzua edhe vendimi i shkallës së parë që i kishte lënë në arrest shtëpie katër policët.

Shef i Stacionit të Policisë Velipojë dhe tre vartësit e tij do të hetohen me masën detyrim paraqitje në policinë gjyqësore ndalim i daljes jashtë vendit.

Zamir Sytari, Arben Hoxha, Ergys Lohja e Hysni Beqiri, do të duhet të paraqiten të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji në prokurorinë e Shkodrës dhe dorëzuan pasaportat.

Efektivët e Policisë u vunë në pranga nga Agjensia e Mbikqyrjes Policore pas zbulimit të një parcele droge në Velipojë.

Ata u akuzuan për favorizim të kultivimit të kanabisit edhe pse efektivët kanë treguar se kanë qenë vetë këta të fundit që kanë zbuluar parcelën me kanabis, duke kryer më pas asgjësimin e 560 bimëve.

Arrestimi “i paligjshëm”, Apeli lehtëson masën