Blendi Gonxhe në SPAK: Nuk ka lidhje me DPSHTRR, u pyeta si person për një hetim
Zyrtarët socialistë vijojnë të jenë pjesë e dëshmive për çështje që po hetohen nga prokurorët e SPAK-ut. Radha ishte e Kreut të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, i cili është paraqitur këtë të hënë, në SPAK.
Nuk ndalen fletëthirrjet për të dëshmuar para drejtësisë për vartësit e Edi Ramës, si në qeveri ashtu dhe në pushtet vendor.
Pas Dritan Lelit një tjetër zyrtar socialist është thirrur dhe ka dëshmuar para prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme anti korrupsion.
Fjala është për kreun e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhe, i cili është paraqitur këtë të hënë, 25 korrik 2022, në SPAK.
Pasi qëndroi për më shumë se 30 minuta, në një dalje për mediat, Gonxhe tha se është thirrur për të sqaruar një çështje që nuk kishte të bënte me institucionin që ai drejton, por se ishte aty si palë e tretë.
Blendi Gonxhe: Respekt të gjithëve ju se është 40 gradë, u ktheva për ju për respekt. Nuk ka asnjë lloj lidhje DPSHTRR që unë përfaqësoj me arsyen pse isha një gjysmë orë për një çështje të tretë që u pyeta për sqarim dhe nuk ka asnjë lidhje me detyrën që unë kryej.
Është një çështje krejt rutinore e një verefikimi. As nuk erdha nga dera e pasme as nuk dola nga ndonjë derë tjetër. Çështjen nuk mund ta them Si DPSHTRR nuk ka asnjë lloj lidhje, as tender, as korrupsion, asgjë. Më vjen keq që ju zhgënjeve por nuk ka asnjë gjë.
Ende nuk dihet çështja që është pyetur Gonxhe në Spak, pasi nga kjo strukturë nuk jepet asnjë informacion zyrtar për çështjet në hetim
E njëjta praktikë është ndjekur edhe me të tjerë zyrtarë, të cilët janë thirrur për të dhënë sqarime për cështje të ndryshme të korrupsionit, kontratave koncensionare përfshi ato të incineratorëve.

