"Rrjeti elektrik me shtylla druri të kalbura" banorët në Grykë Lumi të Lezhës në rrezik

Banorët e fshatit Grykë Lumi të Lezhës janë në rrezik për shkak të rrjetit elektrik. Shtyllat që mbajnë telat e energjisë janë kalbur dhe rrëzohen herë pas herë, çka bën jo vetëm që të ketë mungesë të energjisë elektrike por edhe të rrezikojë seriozisht banorët.

Kjo është linja elektrike dhe transformatori që furnizon me energji elektrike fshatin Gryk Lumi në zonën e Tales në Lezhë.

Krahas problemeve të vazhdueshme me furnizimin me energji, linja është kthyer në një rrezik serioz për jetën e banorëve dhe kalimtarëve.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Shtyllat prej druri janë kalbur duke rrezikuar të bien, ndërsa shkëputja e telave është e vazhdueshme.

Banorët thonë se janë pagues të rregullt të faturave të energjisë elektrike, por në këtë zonë nuk është investuar asnjëherë nga shteti, por vetëm me kontributin e tyre.

"Nga ky transformator të gjithë banorët janë të rrezikuar 100%, sepse ky është jashtë kushteve teknike. Çdo gjë është, si transformatori, si linjat. Sot janë mbi 50-60 shtëpi që janë të lidhura me këtë transformator, nuk kanë drita," thotë një banor.

"Transformatori punon vetëm me dy faza, një bobinë është e djegur. Këtë drejtori e di shumë mirë, është vënë në dijeni. Fazën tjetër e marrin tre shtëpi, që e dinë vetë se cilët janë. Ne si banorë tani, si lagje, na ka ngel vetëm një fazë. Çfarë pretendon të furnizojë një fazë? Të furnizojë 60 shtëpi një fazë? Është e pamundur. Edhe pjesa tjetër këtu afër kanë frikë të lënë fëmijë të dali pasi zona këtu ka korent," tha një tjetër banor.

"Kjo është përherë, s'është vetëm një herë. Sa të fryjë një erë s'ke drita. Për këtë shtet që kemi, me u mbyt në det, s'ke tjetër gjë," thotë një banor i zonës.

Rrjeti i amortizuar elektrik dhe jashtë çdo standarti ka penalizuar 60 familje në këtë fshat që ndodhen fare pranë bregdetit të Tales në Lezhë, ndërsa burime nga OSHEE bëjnë me dije se janë në dijeni të problematikës dhe është parashikuar që shumë shpejt të investohet në këtë zonë.