Berisha komenton vizitën e zyrtares amerikane: E bëri dhe Escobar, loja me kukulla nuk funksionon në Shqipëri
Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar për herë të parë vizitën e zyrtares së lartë të DASH Karen Donfried, në Tiranë dhe takimin e saj me zotin Alibeaj vetëm një ditë para mbajtjes së Kuvendit të PD-së.
Berisha e shikon këtë ngjarje si déjà vu të vizitës së Gabriel Escobar para zgjedhjeve lokale të 6 marsit, ku takoi Bashën dhe i caktoi dhe një takim në Uashington.
Lideri demokrat ka një mesazh të qartë për udhëheqjen amerikane: Lojërat me kukulla nuk funksionojnë në Shqipëri.
Berisha: Po të kthehemi në dhjetor, Escobar takoi Lulzim Bashën dhe jo vetëm kaq por fiksoi dhe një takim në Uashington me të. Kësaj here erdhën dhe takuan pasardhësin e Bashës, do të thosha përsëri ato që kam thënë. Loja me kukulla nuk është një lojë serioze dhe nuk funksionon në Shqipëri, kaq mund të them. Kurrë e majta shqiptare, e SHBA dhe mbarë botës nuk do mund të caktojnë kryetarin dhe udhëheqjen forcës politike konservatore të Shqipërisë, kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Të tjerat janë çështje protokollesh.

