Nisma e rrezikshme, Zelensky sulmon Ramën: Ndalo turistët rusë!
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, i bëri thirrje qeverisë shqiptare të mbylle portet për anijet ruse dhe kufijtë për turistët rusë. Kërkesa e tij drejtuar parlamentit të Shqipërisë në një fjalim live nuk mori përgjigje nga kryeministri Rama, i cili megjithatë garantoi mbështetjen për Ukrainën. Ish-kryeministri Berisha bëri thirrje për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me Moskën.
Deputetë të majtë dhe të djathtë sëbashku me kabinetin qeveritar u mblodhën të gjithë në seancën e posaçme plenare, jo për çështjet e brendshme, por për të dëgjuar fjalën e presidentit të Ukrainës Volodimir Zelensky.
Me anë të një videomesazhi drejtuar Parlamentit dhe popullit shqiptar tregoi se si Rusia prej dy muajsh ka vrarë qytetarë të pafajshëm dhe ka shkatërruar qytete duke i kthyer në fantazma.
Zelensky: Çdo ditë Ukraina humbet fëmijë. 120 fëmijë u vranë dhe 406 u plagosën. Ushtria ruse po godet qytetet dhe fshatrat tona me artilieri, avionë dhe nuk kursen as raketat. Mariupol është shkatërruar plotësisht. Nuk ka asnjë ndërtëse. Imagjinoni, një muaj e gjysmë e rrethuar duke mos lejuar as uj, as ushqim as ilaçet. Është gati një qytet i djegur. Rusia po bën përpjekje për të ringjallur tiraninë dhe është bërë kërcënim për të gjithë botën.
Presidenti Zelensky kishte një kërkesë të drejtpërdrejtë për qeverinë shqiptare, të mos pranojë turistë rusë.
Një kërkesë që bie ndesh me deklaratat e Edi Ramës, i cili pak ditë më parë deklaroi se Shqipëria nuk do të mbyllë dyert për rusët që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar.
Zelensky: Sado e vështirë të jetë duhet të kufizohet tregtia me Rusinë, sepse nëse jo sot nesër Rusia do të përdorë lidhjet tregtare për të goditur tregun tuaj kur të dojë konfiskime apo lëshime politike. Ju duhet ti hiqni këtë mundësi Rusisë në kohën e duhur. Mbyllni portet për anijen ruse e kufizoni ardhjet e turistëve rusë.
Zelensky nuk arriti të merrte përgjigje pozitive nga Kryeministri, por si radhë herë në historinë e pluralizmit Rama foli në Parlament edhe në emër të opozitës shqiptare, madje duke marrë edhe duartrokitje nga disa deputetë demokratë.
Rama: Me 5 maj Shqipëria do të jetë e pranishme edhe në konferencën e donatorëve për Ukrainën të thirrur nga Polonia në Varshavë ku do të japim dhe ne kontributin tonë modest.
Përveç kërkesës së Zelenskyt për turistët rusë, ish-kryeministri Sali Berisha mendon se qeveria shqiptare duhet të jetë më drastik ndaj sanksioneve ndaj Rusisë, duke nisur me diplomacinë.
Berisha: Kërkoj largimin e Ambasadorit rus nga Tirana dhe tërheqjen e Ambasadorit shqiptar nga Moska.
Por këto deklarata të Berishës, mazhoranca nuk do t’i marrë parasysh për t’i zbatuar, të paktën sipas kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Balla:As komentojmë, as i japim vlerë tullumbaceve që lëshon Sali Berisha që natyrshëm ka një axhendë terësisht të ndryshme nga ajo e Shqipërisë.










