"Luftë" në Vlorë por asnjë në pranga. Lirohet dhe efektivi i Delta Forcë
Lisien Myrtaj, efektivi i policisë “Delta” në Vlorë është liruar nga qelia, pasi gjykata e Vlorës vendosi sot që ndaj punonjësit të policisë hetimet të zhvillohen në gjendje të lirë.
Para gjyqtarit Enkel Peza, Myrtaj pranoi plotësisht autorësinë e ngjarjes dhe dinamikën e veprimeve, por pretendoi se gjithçka e ka kryer për qëllime vetëmbrojtje dhe jo kriminale.
Nga ana tjetër prokurori i Vlorës, Albert Kuliçaj, i tha gjykatës se ndaj punonjësit të policisë kishte nisur hetimet për akuzën e “Vrasjes me dashje” mbetur në tentativë në dëm të Benard Aliaj.
Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore rezultoi se personi Juxhin Aliaj, djali i kryeplakut të Kaninës, i publikuar nga mediat në Vlorë si protagonist në këtë ngjarje, s’ka asnjë lidhje me këtë përplasje dhe nuk ka qenë në vendgjarje.
I gjithë konflikti verbal dhe më pas në përdorimin e armëve i zjarrit, ka ndodhur mes Benard Aliaj, djalit të xhaxhait të Juxhinit dhe punonjësit të policisë “Delta”, Lisien Myrtaj.
Për këtë të fundit prokuroria kërkoi nga gjykata caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Por gjyqtari Enkel Peza, pas shqyrtimit të dosjes penale, urdhëroi lirimin nga qelia të policit, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Detyrimi për tu paraqitur”.
Në dosjen hetimore thuhet se efektivi i policisë ka qëlluar plot 7 herë me armën e shërbimit në drejtim të Benardo Aliaj.
Në total pistoleta e policit ka pasur në krehër 8 plumba, ku vetëm një është konstatuar i paplasur.
Ndërsa shumë pranë makinës së Benardo Aliaj, policia ka sekuestruar në tokë dy plumba të paplasur, ç’ka tregon se Benardo Aliaj, i është bllokuar dy herë rradhazi pistoleta.
Aktualisht Benardo Aliaj, është shpallur në kërkim nga policia për akuzën e “Vrasjes me dashje” mbetur në tentativë në dëm të Lisien Myrtaj dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve”.
E gjithë ngjarja kriminale kishte si pikënisje një konflikt për ngacmimin e një femre mes Benardo Aliaj dhe Lisien Myrtaj.
