Në 22 maj zgjidhet kreu i ri i PD-së, kandidaturat pranohen deri në mesditën e 7 majit
Duket se është hapur zyrtarisht gara për kreun e PD-së tashmë.
Pas vendimeve të kuvendit kombëtar të 30 prillit, do të jetë data 22 maj ajo që do të caktojë kreun e ri të demokratëve.
Ndërkohë, ata që janë të interesuar për të kandiduar për këtë post duhet të paraqesin kandidaturën e tyre, duket të dorëzojnë dokumentet deri në orën 12:00 të datës 7 maj.
Kështu kandidatët e interesuar duhet të paraqesin një letër interesi, një jetëshkrim dhe formularin e pastërtisë së figurës.
Njoftimi i Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale
Në bazë të Statutit të PDSH dhe Vendimit Nr. 2 të Kuvendit Kombëtar të PDSH, të dt. 30 prill 2022, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale njofton:
Afati i paraqitjes së kandidaturave për Kryetar të PDSH është dita e shtunë, datë 7 maj 2022, ora 12.00.
Dokumentacioni dorëzohet pranë Komisionit Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike dhe përmban:
1. Kërkesë me shkrim, shfaqje interesi për kandidim;
2. Curriculum Vitae;
3. Formularin e plotësuar të pastërtisë së figurës.

